“Mashtrimi me të ardhurat nga koncerti i Kanye West”, Irena Beqiraj: Pse deklarata për 100 milionë euro nuk është shifër zyrtare, por është një turp për të gjithë qeverinë!

12 July 2026, 21:11 / POLITIKË ALFA PRESS

“Mashtrimi me të ardhurat nga koncerti i Kanye West”, IrenaEkonomistja dhe ish-zv.ministrja socialiste Irena Beqiraj e ka nxjerrë si mashtrim deklaratën e kryeministrit Edi Rama se koncerti i Kanye West pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Beqiraj shprehet se në relacionin e aktit normativ nuk paraqitet asnjë përllogaritje apo analizë ekonomike që të mbështesë këtë shifër. Sipas saj, nëse do të ekzistonte një vlerësim zyrtar, ai do të ishte pjesë e dokumentacionit shoqërues me të dhëna konkrete mbi ndikimin ekonomik të eventit.

Beqiraj argumenton se shifra prej 100 milionë eurosh është një hamendësim dhe jo një vlerësim i bazuar në analiza, duke shtuar se edhe koncertet më të mëdha në botë nuk kanë gjeneruar përfitime të tilla ekonomike. Ajo kritikon gjithashtu mënyrën e financimit të koncertit me fonde publike, duke e cilësuar si një veprim të kryer jashtë procedurave të zakonshme ligjore.

Analiza e Irena Beqiraj:

Kur nuk ka përllogaritje zyrtare për përfitimet e një koncerti le të luajmë kungulleshkash me Kryeministrin!

Kryeministri si gjithmonë kur jep para publike apo pronë shtetërore duke mos zbatuar proçedurat që i imponon ligji, na fton të luajmë kungulleshkash me miliona imagjinarë: pse aq po sa?

Ai thotë: ndërkohë që nga ky koncert–në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve–ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura”!

Pra Kryeministri pretendon se ka përllogaritje por, një matje të tillë nuk paraqitet në relacionin e projektligjit të aktit normativ.

Nëse një llogaritje e ndikimit përfundimtar ekonomik do të ekzistonte ajo do të shpjegohej me shifra në relacionin e Aktit Normativ duke filluar me të dhenat e kapacitetit, përqindja e vizitorëve jashtë qytetit dhe multiplikatorin ekonomik.

Nëse kjo matje do të ekzistonte do të vendosej në relacionin e Aktin Normativ edhe si e tillë do të konsiderohej shifër zyrtare duke u bërë u automatikisht një target për t’u arritur.

Ndërsa relacioni nuk përmban asnjë përllogaritje apo vlerësim sasior, qoftë edhe një shifër të vetme të ndikimit në ekonomi të këtij eventi, i cili është financuar me para publike një proçedurë ekstra buxhetore, Kryeministi e deklaron atë në FB.

Si gjithmonë , matjet e ndikimit ekonomik të gjithë projekteve të financuara apo të mbështetura nga paratë edhe prona publike pa proçedurë pa garë, bazohen në qasjen e vjetëruar tanimë “në mos qofshin do ti sajojmë ”!

100 milionë euro jo vëtëm që nuk është shifër zyrtare por për turp të gjithë qeverisë është një hamendësim i dobët jo i edukuar, pra i bërë në mungesë të njohurive.

Them në mungesë të njohurive sepse ekonomiksi i koncerteve tregon se përfitimet nga koncertet më gjigante në stadiume me kapacitet më më madh se 80,000 persona, nuk i kanë kaluar 47 milionë dollarë.

Hamendësimet bombastike pa laps e letër të Kryeministrit tonë kanë vetëm një qëllim të mbulojnë sjelljen e përsëritur destruktive të kësaj qeverie me financat publike edhe pronën publike. Ai refuzon të pranojë se qeverisja është një mandat jo për të vepruar sipas dëshirës pa kufizime, por për të marrë e ekzekutuar vendime brenda proçedurave të miratuara, si e vetmja mënyrë e pazëvendësueshme për të garantuar përfitimin publik. Por Kryeministri Perandor i urren ligjet, proçedurat, rregulloret, kufizimet, trasparencën, llogaridhënien që ato imponojnë.

Aq shumë e bezdisin sa në mënyrë aluçinante shkon deri aty sa për të nxjerrë 4.2 milionë euro nga buxheti në mungesë të ndjekjes së proçedurës normale e klasifikon një koncert emergjencë.

Ndërsa vërdallë tij në Kryeministri, në Qeveri, në Kuvend nuk ka mbetur më asnjë t'i thotë jo, i gjori ai, është katandisur që argumenteve shteruese aspak emocionale u përgjigjet si ahengxhiu i dehur i dasmës!

Po ndodh...

ide