Një vetëvrasje që i parapriu lavdisë

21 Shkurt 2022, 11:54 / DOSJE ALFA PRESS
Një vetëvrasje që i parapriu lavdisë

Ludwig Boltzmann (1844-1906)

Atë mbrëmje të 5 shtatorit të vitit 1906 gazetat e Vienës dhanë një lajm sa të papritur po aq edhe të kobshëm. Kish vrarë veten, në kushte depresioni, në moshën 62 vjeçare, profesori i fizikës teorike të Universitetit të Vienës – Ludwig Boltzmann. Për vjenezët, po përsëritej, pas një gjysmë shekulli, një vetëvrasje tjetër, ajo e inxhinierit të talentuar të tuneleve hekurudhore – Karl Gega, me origjinë shqiptare. Një vetëvrasje të tillë do të bënte, disa vite më vonë, edhe bashkëkombasi tjetër i tyre, shkrimtari i njohur, Stefan Cvajg.

Boltzmann lindi në Vjenë në 20 shkurt 1844. Qysh në vitet e gjimnazit u shqua, mes shokësh, për aftësitë e tij në matematikë dhe shkencat. Në moshën 19 vjeçare u regjistrua në Universitetin e Vjenës, ku kreu me sukses studimet për fizikë dhe matematikë dhe mbrojti tezën e diktoraturës në Teorinë kinetike të gazeve. I përkasin punimeve të tij të mëvonshme përgjithësimi i ekuacionit të shpërndarjes të shpejtësive të atomeve të gazit ideal, bërë fillimisht nga James Clerk Maxell, shpjegimi i Parimit të dytë të Termodinamikës mbi bazën e teorisë atomike të lëndës apo koncepti i Entropisë (S), i lidhur ngushtë me probabilitetin (P) sipas formulës të famshme që mban emrin e tij S = k.lnP. Janë të njohura për çdo nxënës shkolle punimet e tij në fushën e rrezatimit të trupit ‘absolutisht të zi’, sipas ligjit të Stefan-Boltzmann-it. Por, në Historinë e shkencës, ai do të konsiderohet si “babai i Fizikës statistike”.

Që nga koha e Demokritit (shek.5-të p,e,r) janë përvijuar dy linja mendimi: nëse një trup e ndajmë në dysh, pastaj gjysmën e tij e ndajmë përsëri në dysh, e kështu me rradhë, kjo ndarje do të vazhdojë pafundësisht apo do të vijë një cak përtej të cilit trupi nuk mund të ndahet më? Grekët e lashtë e quajtën këtë grimcë ‘atom’ (i pandashëm). Boltzmann ishte jo vetëm përkrahës i kësaj rryme të dytë mendimi, por ai besonte se ‘atomet’ nuk ishin thjesht hipotezë e kënaqshme për të shpjeguar realitetin fizik, por ato kishin edhe një ekzistencë reale – ekzistonin realisht. Këtu ai u konfliktua me autoritetet më të njohura të kohës, Mach-un dhe Ostwald-in, të cilët mendonin se atomet dhe molekulat nuk kishin ekzistencë reale.

Si tip i ndjeshëm që ish dhe besimtar i të vërtetës shkencore ai e përjetoi emocionalisht këtë kundërvënie të paprinciptë akademike të kolegëve të tij. Pati përshtypjen e gabuar se gjithë puna e tij shumëvjeçare kishte shkuar dëm. Një të shtunë mbasdite të 5 shtatorit 1906, ndërsa gruaja dhe vajza e tij po notonin në liqen, ai u vetëvra.

Por Natyra ka të mistershmet e saj! Disa javë më vonë punimet e tij teorike u vërtetuan eksperimentalisht, ashtu si gjysmë shekulli më parë tuneli hekurudhor i projektuar nga ing. Karl Gega doli me sukses, ndonëse edhe ai, disa javë para suksesit, vrau veten. Për shkencën ky ishte triumfi i Teorisë molekularo-kinetike të ndërtimit të lëndës.

Sipas amanetit të tij, në epitafin e varrit në Vjenë, është gdhendur formuala e famshme që lidh Entropinë me Probabilitetin, formulë që, me punimet e mëvonshme, do ta lidhte atë edhe me Informacionin. Fati nuk deshi që Boltzmann ta prekte lavdinë sa ishte gjallë!/ Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

Po ndodh...