A do të zhvillohen primaret në PD?/ Çollaku kundër: Procesi lëndon bashkimin e partisë duke…

5 Shkurt 2025, 15:56 / POLITIKË ALFA PRESS

A do të zhvillohen primaret në PD?/ Çollaku kundër:

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, i ftuar në studion e News24, ka folur për situatën brenda PD-së ndërsa ajo përgatitet për zgjedhjet e 11 majit.

Çollaku tha se është bashkuar me lidershipin aktual të PD-së, duke besuar në thirrjen e Sali Berishës për përfshirjen e të gjithë demokratëve, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme. “Unë jam prova se marrëdhëniet janë normalizuar,” u shpreh ai.

Duke komentuar procesin e primareve, ai e cilësoi atë si një demonstrim të forcës së shumicës brenda partisë, ku Berisha mbetet figura dominuese.

“Jam bashkuar me këtë lidership dhe kam besuar ftesën e zotit Berisha për demokratët që nuk mendojnë si ai, apo qoftë edhe kundër tij. Unë e kam besuar thirrjen e Berishës dhe unë jam prova vetë se si marrëdhëniet janë normalizuar. Primaret janë një ushtrim i forcës së shumicës brenda një partie. Berisha është faktori shumicë, dominant dhe fitues i rivalitetit brenda llojit”, tha ai.

Megjithatë, Çollaku shprehu shqetësimin se një proces i primareve mund të përjashtojë fraksione të ndryshme brenda PD-së, duke vënë në rrezik bashkimin e partisë.

Sipas tij, përqendrimi vetëm te primaret mund të dëmtojë përpjekjet për një PD më të bashkuar, gjë që ai e konsideron thelbësore për suksesin e partisë në zgjedhjet e ardhshme.

“Shqetësimi im është që duke futur gjithë procesin në këtë garë të ndershme, por të sigurtë që fiton shumica, kjo do të krasisë çdo kontingjent, çdo fraksion të shpallur apo jo që ka diferenca me lidershipin aktual. A i duhet PD kjo histori në këtë moment, unë mendoj se jo. Një proces primaresh fanatik do ta lëndonte procesin e bashkimit të PD dhe besoj se ky i fundit është jetik për PD-në dhe fitoren e saj”, tha Çollaku.