Alibeaj: Sa kohë ka një PD “pro” dhe një “kundër” SPAK-ut, bashkim nuk ka!

3 Shkurt 2024, 13:29 / POLITIKË ALFA PRESS

Alibeaj: Sa kohë ka një PD “pro” dhe një

Shanset që grupimi në PD që njihet si "Rithemelimi" dhe ata që bëjnë pjesë në Partinë Demokratike zyrtare të bashkohen, duket se janë të pakëta. Kjo u la të kuptohet sot nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

I ftuar në “Ditari i Fundjavës” me Erion Dushin, Alibeaj e bëri të qartë që për sa kohë deputetët që mbështesin Sali Berishën kanë dalë hapur kundër punës që po bën SPAK, bashkim nuk mund të ketë.

Kur u pyet nëse Partia Demokratike mund t’i fitojë zgjedhjet përballë mazhorancës kështu siç është sot, Alibeaj solli në vëmendje se në 2021, vetëm 48% e shqiptarëve e votuan shumicën socialiste.

"Në, 2021, masa e shqiptarëve që nuk e duan këtë mazhorancë ishte më e madhe sesa ata që e votojnë. Pra, premisa bazë, për ta mundur të gjithë së bashku këtë qeveri është,” u shpreh ai.

Por, PD doli e humbur në zgjedhjet e prillit të 2021, edhe pse ishte e bashkuar dhe shkak për këtë sipas Alibeajt ishte fakti se oferta e të djathtëve nuk ishte bindëse për qytetarët.

“Në PD ka pasur modele të vjetra të qeverisjes,” shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së thotë se grupimit të tij i duhen më shumë aleatë për të mposhtur mazhorancës, dhe me aleatë ai nënkupton qytetarët.

Ndërsa, duke u ndalur te “lufta” që po bëhet për karrigen e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës zgjedhore, Alibeaj i hodhi poshtë akuzat se mund të jetë duke i shërbyer mazhorancës.

Deputeti demokrat theksoi se veton që ka në dorë do ta përdorë vetëm për të “ndalur trillet e mazhorancës.”

Dhe, mesa duket Enkelejd Alibeaj nuk do të heqë dorë nga karrigia e bashkëkryetarit qoftë edhe për hir të bashkimit, pasi siç u shpreh ai, për sa kohë ka një opozitë "pro", dhe një kundër SPAK-ut, aty nuk mund të ketë vend për gjetjen e një konsensusi.

 

Po ndodh...