Berisha tha se ka dërguar informacion për Olsi Ramën, SPAK rrëzon deklaratën: Asnjë person me emrin Zaho Koka nuk ka kallëzuar në BKH!

20 Janar 2025, 15:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Berisha tha se ka dërguar informacion për Olsi Ramën, SPAK

Prokuroria e Posaçme antikorrupsion SPAK ka reaguar në lidhje me një deklaratë të kreut të PD-së Sali Berisha ku tha se sipas informacioneve të tij një person anonim i quajtur Zaho Koka ka dërguar informacion në SPAK për Ols Ramën.

Në një përgjigje për gazetarin e Ora News Isa Myzyraj, SPAK thotë se ka pyetur Byronë Kombëtare të Hetimit, dhe nga përgjigja e tyre nuk ka rezultuar se personi me emrin Zaho Koka të ketë depozituar ndonjë informacion.

SPAK thotë: “Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B

Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij.  Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura.

Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:

Nga verifikimet e kryera në Sekretari, Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.”

Kujtojmë se me datën 13 JANAR 2024, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për media bëri të ditur se ka marrë informacione që kanë lidhje me një letër të dërguar në SPAK ku tha:  “me datën 7.12.2024, është protokolluar një letër e nënshkruar nga Zaho Koka, pra, dërgues anonim. Letra ka informacion për Olsi Ramën, Genti Xhixhën dhe Ermal Hoxhën. Në letër ishte një foto e qartë ku dukej Olsi Rama, Genti Xhixha në makinë në një qytet evropian. Gjithashtu në letër jepej informacion për rrëmbimin e një biznesmeni me iniciale V.B.

Në dhjetor të vitit 2015, tani fati i letrës, letra iu dha për verifikim OPGJ-së me inicialet E.T.

Më datën 11 dhjetor, ky OPGJ u thirr nga drejtuesja famoze Aida Hajno, kjo është një spiune e çmendur e Edi Ramës në BKH, dhe iu komunikua ndërprerja e veprimeve të mëtejshme.”/Ora News

 

Po ndodh...