Krimet Zgjedhore/ Altin Dumani në Ambasadën Britanike, merr mbështetje të fortë

1 Prill 2025, 15:01 / POLITIKË ALFA PRESS
Krimet Zgjedhore/ Altin Dumani në Ambasadën Britanike, merr

Strategjia e SPAK për të hetuar krimet zgjedhore ka ngjallur interesin e ndërkombëtarëve.

Paraditen e kësaj të marte, kreu i SPAK, Altin Dumani ishte në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, ku drejtoi një tryezë të rrumbullakët e shpjegoi përpjekjet për t’u përballur me krimet zgjedhore të mundshme.

Në prezencën edhe të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane, të delegacionit të BE në Tiranë dhe disa ambasadorëve të vendeve të BE, Altin Dumani ka shpjeguar strategjinë për hetimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit dhe ka ndarë me ambasadorët problematikat e zbuluara deri më tani.

Në kushtet e anonimatit, një prej ambasadorëve tha se “takimi dërgon një sinjal të qartë mbështetës për këtë strategji kundër krimeve zgjedhore e vënë në zbatim prej SPAK, institucion i vendosur nën sulme frontale nga aktorë të ndryshëm të politikës shqiptare”.

Ndërsa ambasada Britanisë së Madhe thotë se ftoi Kryeprokurorin e Posaçëm, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për t’i informuar ambasadorët mbi strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të publikuar në vitin 2025.

“Seanca informuese përfshiu qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin zgjedhor. Marrëveshja e re mes institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi qëllimi për secilin institucion”.

Ambasada e Britanisë së Madhe mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të siguruar që zgjedhjet e 11 Majit të jenë transparente, të drejta dhe të sigurta.

SPAK, më 20 shkurt bëri publike një strategji për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Në strategjinë e publikuar, SPAK sjell në vëmendje se legjitimiteti i zgjedhjeve është faktor themelor në ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe integritetit të procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Evidentohet shqetësimi i organizatave vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, lidhur me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri për blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike dhe presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës shtetërore.

Pjesë thelbësore e hetimit është edhe përfshirja e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. SPAK nënshkroi marrëveshje edhe me KQZ por edhe prokurorinë e përgjithshme në funksion të hetimit të zgjedhjeve

Po ndodh...