Çfarë e pret Shqipërinë?/ Rama nuk e lëshon Ballukun: Çfarë pati paralajmëruar Brukseli...

9 Mars 2026, 11:36 / POLITIKË ALFA PRESS
Çfarë e pret Shqipërinë?/ Rama nuk e lëshon Ballukun:

Edi Rama më në fund ka dalë hapur se Belinda Balluku është ai vetë dhe se, kur drejtësia shkon pranë tij, nuk e ka për gjë që ta hedhë në erë reformën për të cilën mburrej se e ka bërë Partia Socialiste. Por ajo që është më e rëndë është se pasojat e kësaj do t’i vuajnë shqiptarët, të cilëve, për shkak të Edi Ramës, për të dytën herë, rrezikon t’u bllokohen të gjitha proceset integruese me BE.

Edi Rama u thirr enkas në Bruksel pak ditë më parë për t’i komunikuar pasojat që do të ketë Shqipëria nëse ai do të bëhej mbrojtje për Ballukun, duke penguar drejtësinë.

Brukseli dhe kancelaritë europiane, të cilat monitorojnë vendin tonë në rrugën e integrimit, kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje.

Media raportoi se presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, i ka shprehur drejtpërdrejt kryeministrit të Shqipërisë se po respektohen standardet për reformimin e gjyqësorit, i quajtur IBAR. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve.

Pra, qartësisht BE pret shembuj konkretë të luftës kundër korrupsionit, por me kthesën e papritur që është bërë ndaj aferës së Belinda Ballukut, Edi Rama tashmë shihet me dyshim në Europë.

Nëse SPAK dhe Gjykata e Posaçme pengohen më tej në dosjen “Balluku”, integrimi drejt BE-së është në një pikëpyetje të madhe dhe nuk është çudi të kthehemi në pikën zero. Me metodologjinë e re të negociatave, mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare. Kapitujt 23-24 mbi gjyqësorin u hapën të parët dhe mbyllen të fundit.

Afera Balluku dhe rezistenca frontale që Rama po i bën gjyqësorit për ta lëshuar numrin dy të qeverisë së tij, është diskutuar gjerësisht edhe në takimin e Grupit të Punës për Zgjerim mes diplomatëve europianë. Ndonëse ka qenë takim me diskrecion të plotë, komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, ka thyer rregullin dhe ka kontaktuar kryeministrin Edi Rama për ta vënë në dijeni për klimën e rëndë të diskutimeve.

Kos i ka përcjellë Ramës qëndrimet aspak të qeta nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda, kryesisht për çështjen e SPAK ndaj zv.kryeministres së pandehur Belinda Balluku, e cila megjithëse përballet me akuza dhe është kapur në përgjime komprometuese, vazhdon të mbahet në detyrë.

Pra, me vendimin e sotëm të Edi Ramës, Shqipëria rrezikon të shkojë së paku një dekadë pas sa i përket hapave për integrimin në BE.

Po ndodh...

ide