"Përmbytjet, papërgjegjshmëri e atyre që hedhin mbetje plastike", Rama me kryebashkiakët: Do ngremë flotë për pastrimin e kanaleve kulluese

17 Janar 2026, 14:16 / POLITIKË ALFA PRESS

"Përmbytjet, papërgjegjshmëri e atyre që hedhin mbetje

Përmbytjet e fundit në vend nuk janë vetëm pasojë e reshjeve të dendura, por edhe rezultat i veprimeve njerëzore, tha Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët në Golem.

Sipas tij, reshjet e fundit ishin shumë intensive, por situata u rëndua nga “papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt”, duke përfshirë hedhjen e plastikës në rrugë që bllokon rrjetet e kullimit. “Ajo që ndodh me plastikën, derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar,” shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama lajmëroi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, ndërsa po komentonte situatën me përmbytjen.

Rama tha se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rama tha se kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.

“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e  fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore.

Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive.

Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.   

Po ndodh...

ide