Përplasja Lapaj-Shabani, Soko: E turpshme! Lista e mbyllur të mbajë fjalën për dorëheqjen! Jemi të dënuar për të gjetur zgjidhje!

20 Korrik 2025, 21:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Përplasja Lapaj-Shabani, Soko: E turpshme! Lista e mbyllur të
Pano Soko i cili në zgjedhjet e 11 Majit garoi nën siglën e Nismës Shqipëria Bëhet ka komentuar përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit të Nismës Thurrje. Soko e quan të gjithë situatën të turpshme ndërsa thekson se mosrespektimi i angazhimit për listat e hapura rrezikon besimin e qytetarëve. Soko bën thirrje që të përmbushen zotimet e dhëna para votuesve si dhe i bëri thirrje individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

“Çështja është akoma duke u zhvilluar. Kjo që ndodhi ishte një turp në dy plane: E para ishte e gjithë mospërmbushja e angazhimit tonë që morëm përpara njerëzve që na votuan, që ne do shkonim me lista të hapura duke garantuar një mekanizëm për të cilin ne dolëm garant përpara njerëzve.

I bëj thirrje të gjithë individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

Koalicioni jonë i ka marrë votat për të çuar në Parlament ata që morën më shumë vota, jo ca njerëz fiktivë që nuk ishin për vota.

E dyta ka të bëjë me tensionet e komunikimit që kanë ekzistuar mes nesh, dhuna është e pafalshme. Komunikimi publik për gjëra që duhen zgjidhur me njëri-tjetrin, është gabim që shpesh herë rezulton fatal, sepse kur gjërat bëhen publike, “urat digjen”, prandaj gjërat mbahen në privatësi për të ruajtur urat.

Të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin anagzhimin e tyre për të përmbushur detyrimin që kanë ndaj votuesit dhe për të çaktivizuar listën e mbyllur. E kemi të detyrueshme t’u dalim garant njerëzve, dhe është e turpshme nëse nuk e bëjmë”, deklaroi Soko.

Pano Soko thekson se janë të dënuar të gjejnë një zgjidhje pasi së pari duhet bërë për hir të qytetarëve që i votuan.

“Nëse ne nisim rrugëtimin tonë politik me një humbje angazhimi të tillë, atëherë besimi i njerëzve nuk është një gjë që fitohet shpesh herë. Personalisht jam ndjerë shumë në siklet, në detyrim ndaj atyre njerëzve që na kanë votuar. Nuk i shof dot në sy.

Besoj se ne do gjejmë forcën për të dalë mbi veten për hir të atyre njerëzve që na kanë besuar. Jemi të dënuar të gjejmë një zgjidhje”, tha Pano Soko.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 Majit ndërsa marrëveshja mes palëve ishte bërë që emrat e listës së mbyllur që përbëhej nga të afërm të kandidatëve, do të jepnin dorëheqje si një artificë që kandidatët e listës së hapur të ishin ata që garonin për mandatet.

Përplasja nisi mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit pasi daja i këtij të fundit nuk pranoi të japë dorëheqjen. Deklaratat mes Lapajt dhe Shabanit kanë qenë të ashpra ndërsa tashmë priten të tjera zhvillime.

 

Po ndodh...