Veliaj bën kallëzim në Prokurorinë e Tiranës: Nesti Angoni nuk ekziston! Denoncimi ndaj meje s’përmbush standardet për t’u quajtur i tillë!

17 Prill 2026, 14:04 / POLITIKË ALFA PRESS

Veliaj bën kallëzim në Prokurorinë e Tiranës: Nesti

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim për falsifikim dokumentesh, lidhur me kallëzimin e bërë ndaj tij në SPAK nga një person anonim i identifikuar si Nesti Angoni.

Në kërkesën drejtuar organit të akuzës, kryebashkiaku thekson se kemi të bëjmë me një rast falsifikimi, pasi ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Po ashtu, thekson Veliaj, dokumenti i dërguar në SPAK është paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar përmes përdorimit një identiteti të rremë, dhe i shoqëruar me nënshkrim fizik.

“Në fund të dokumentit, poshtë emrit “Nesti Angoni”, është vendosur një nënshkrim me shkrim dore. Ky fakt tregon qartë se personi që ka hartuar dokumentin nuk është kufizuar në paraqitjen e informacionit në mënyrë anonime, por ka zgjedhur të krijojë një identitet të rremë dhe ta materializojë atë përmes një nënshkrimi fizik, duke e paraqitur dokumentin si të ardhur nga një subjekt konkret dhe i identifikueshëm. Ky veprim përbën një paraqitje të rreme të rrethanave faktike përpara një organi publik, me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e tij.”, thuhet në shkresën e Veliajt.

Po ashtu, sipas tij, dokumenti përmban pretendime të përgjithshme dhe të paverifikuara mbi marrëdhënie dhe përfitime të mundshme të tij.

“Në këtë mënyrë, dokumenti “Të dhëna për SPAK” përmban elementë të paraqitjes së rreme të identitetit dhe rrethanave, të përdorura në mënyrë të qëllimshme për të krijuar një bazë artificiale për inicimin e një procedimi penal. Personi që ka hartuar dhe nënshkruar këtë dokument ka paraqitur rrethana të pavërteta, duke firmosur në emër të një personi që nuk ekziston.”, shton ai.

Veliaj argumenton se procedimi penal i nisur nga SPAK është i papranueshëm sepse është vënë në lëvizje nga elementë, që sipas tij, përbëjnë vepër penale.

Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.”, shton ai.

Veliaj kërkon gjithashtu që të identifikohet personi real që qëndron pas emrit “Nesti Angoni”.

“Kërkoj identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK””, thekson ai.

Po ndodh...