Qershori i qershive e do një cheesecake me qershi

7 Qershor 2022, 07:02 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Qershori i qershive e do një cheesecake me qershi

Cheesecake është një ëmbëlsirë e “importuar”. Nëse do e përkthenim fjalë për fjalë nga gjuha angleze në shqip emërtesa do të ishte “kek djathi”. Dhe për të gjithë kureshtarët mund të themi se kremi i djathit është një ndër përbërësit kryesorë të kësaj ëmbëlsire, që kombinon shijen e athët (jo të kripur) me shijen e ëmbël. Për të përgatitur një cheesecake tri janë hapat e domosdoshëm: përgatitja e bazës me  biskota, kremi dhe garnitura. Në shumicën e rasteve chessecake nuk ka nevojë për pjekje. E tillë është edhe receta e sotme e Alfës. Një cheesecake pa pjekje me qershi. Provojeni dhe do ta shijoni gjatë.

Chessecake me qershi

Koha e përgatitjes: 50 minuta

Koha e gatimit të qershive: 45 minuta

Koha e qëndrimit në frigorifer: 4 -6 orë

Vështirësia e mesme

Për 8 racione

Për një tavë rrethore me diametër 22 mm

Përbërësit për bazën

180 gr biskota digjestive, 100 gr gjalpë i shkrirë

Përbërësit për mbushjen

2 pako djathë i shkrirë  (rekomandohet Philadelphia), 1 pako pana për ëmbëlsira 200 ml, 50 gr sheqer pluhur

Për garniturën

500 gr qershi pa bërthamë, 200 gr sheqer kaf, lëngu i 1 limoni, 10 gr xhelatinë (1 fije)

Përgatitja

1.       Për përgatitjen e bazës së cheesecak shkrini fillimisht gjalpin. Më pas shkërmoqni biskotat mekanisht me ndihmën e një çekiçi kuzhine ose me mikser nëse dëshironi një bazë fine.

2.       Përziejini biskotat e shkërmoqura me gjalpin dhe hidhini në tavën e shtruar me një letër kuzhine. Shtrojini në mënyrë uniforme me ndihmën e një luge që masa e biskotave të jetë homogjene.

3.       Vendoseni në tavën në frigorifer të paktën për 30 minuta në mënyrë që të jetë e ngjeshur dhe e lidhur mirë.

Përgatitja e garniturës me qershi

4.       Lani qershitë dhe hiqurni bërthamat (duhen 900 gr qershi për të përfituar 500 gr pa bërthamë). Hiqni disa prej tyre nëse doni t’i përdorni për dekorim.

5.       Vendosini në një tenxhere të thellë. Shtojuni sheqerin dhe përziejini mirë që të përthithin atë. Vendosini në zjarr të marrin valë  për 40 -45 minuta në temperaturë mesatare dhe shtojuni lëngun e një limoni. Mos i shtoni ujë, pasi qershitë duhet të dalin në formë gllaseje jo si reçel.

6.       Vendosni xhelatinën në ujë të ftohtë. Lëreni 10 minuta dhe më pas shtrydheni nga uji. Hidheni tek qershitë.

Përgatitja e mbushjes (kremit)

7.       Hidhni dy pakot e kremit të djathit në mikser dhe rrihini për rreth 1-2 minuta.

8.       Shtoni ngadalë sasinë e kremit pana dhe rrihini së bashku derisa të merrni një masë kremoze si ajo e tortave.

9.       Në fund shtoni sheqerin pluhur. Mos e rrihni gjatë kremin pasi mund të humbasë elasticitetin.

10.   Nxirrni nga frigoriferi tavën. Hidhni kremin e përgatitur për mbushje. Shpërndajeni mirë me ndihmën e një spatule.

11.   Mbulojeni me një qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer (jo në ngrirje) jo më pak se 4 orë.

12.   Nxirreni tavën nga frigoriferi dhe hidhni mbi kremin garniturën e qershive. Shpërndajini në mënyrë uniforme. Vendoseni të pushojë në frigorifer edhe për të paktën dy orë të tjera.

13.   Shërbejeni të ftohtë.

Këshillat e shefit

Ø  Përgatitja një natë përpara se të konsumohet e lejon chessecake të fitojë konsistencë dhe shije.

 

Po ndodh...