Shekulli XX, “Inkuizicioni” ndaj Bertrand Russell
Meqenëse vendi i profesorit të filozofisë në “City College”, në shtetin e New York, mbeti vakant, Bordi i Arsimit të Lartë vendosi që këtë vend t’ja propozojë filozofit dhe matematikanit të njohur Bertrand Russell, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi. Kjo ndodhi në ditët e para të vitit 1940. Nuk kaloi as një javë nga bërja publike e këtij emërimi dhe Peshkopi Mening, i kishës episkopale protestante, reagoi dhunshëm: “Ç’mund të thuhet për kolegjet dhe universitetet – tha ai – që u paraqesin të rinjve tanë si mësues përgjegjës për filozofinë një njeri që është një protagonist i njohur kundër fesë dhe moralit?”. Letra e peshkopit qe shenja e parë e një fushate fyerje dhe denigrimi të pashembullt në Historinë amerikane, që nga koha e Xhefersonit dhe Tomas Pejnit.
Opinioni amerikan u nda në dysh: në njërën anë bota akademike dhe universitare, që mbronte mendimin e lirë, frymën e kritikës dhe tolerancën në mjediset akademike dhe universitare dhe, në anën tjetër, bota e politikës konservatore dhe klerit që mbronte mendimin tradicional, që nuk lejonte kritikën përtej një caku të caktuar dhe ishte kategorike në ndalimin e “mësimeve sokratike” në shkollat amerikane.
Kur e dëgjoi këtë Einshteini, përfaqësuesi më i spikatur i grupit të parë, u shpreh: “Shpirtrat e mëdhenj kanë gjetur gjithnjë kundërshtim të ashpër nga ana e mediokërve. Këta të fundit nuk mund ta kuptojnë se si një njeri nuk u nënshtrohet pa menduar paragjykimeve të trashëguara, por përdor inteligjencën e tij me ndershmëri dhe guxim”. Ndërsa politikani konservator Carls Kigan, përfaqësues tipik i grupit të dytë, verejti që: “Po të kishim një sistem të përshtatshëm imigracioni, ky endacak (Russell) nuk do të mund të zbarkonte dot në brigjet tona”.
Çështja u bë serioze kur zonja Xhejn Kejn nga Bruklin, nëna e një studenteje të “City College” paraqiti një kërkesë-padi në Gjykatën e Lartë të New York-ut për anullimin e emërimit të z.Russell, me arsyetimin që si taksapaguese ishte e interesuar për mbarëvajtjen e punëve të shkollës. Në datën 24 shkurt 1940 kjo gjykatë, pas një procesi shumë të përfolur, vendosi që filozofi dhe shkencëtari i madh të mos jepte mësim në këtë universitet. Ajo që ishte më skandaloze ishte fakti se Russell nuk u thirr në gjyq për t’u dëgjuar, nuk ju dha as mundësia më e vogël të argumentonte me shkrim pikpamjet e tij. Rast i rrallë ky, që ka ndodhur vetëm para 70 vjetësh dhe në shtetin me kushtetutën më demokratike të botës!
Po ju paraqes më poshte vetëm disa fragmente nga arsyetimi i vendimit të gjykatësit MecGihani.
“Taksapaguesit e qytetit të New York-ut shpenzojnë miliona për arsimin dhe ato para nuk mund të destinohen për të punësuar mësues me karakter jo të mirë moral si zoti Russell. Zoti Russell ka mësuar në librat e tij doktrina imorale dhe ateiste. Nuk është e domosdoshme të detajohen këtu fëlliqesitë që përmbajnë librat e tij.
Është pretenduar se zoti Russell është i jashtëzakonshëm. Kjo e bën atë edhe më të rrezikshëm. Filozofia e zotit Russell dhe sjellja e tij në të shkuarën janë në konflikt të drejtpërdrejtë dhe shkelin Kodin penal të shtetit të New York-ut. Kur mendojmë se sa e ndjeshme është mendja njerëzore ndaj ideve dhe filozofisë së profesorëve mësimdhënës, bëhet e qartë që Bordi i Arsimit të Lartë ose i ka shpërfillur pasojat e mundshme të vendimeve te tij, ose ka qenë më i shqetësuar të mbrohej në një çështje që i është dukur si një sfidë ndaj të ashtuquajturës “ liri akademike”.
Ky emërim cënon mirëqenien, sigurinë dhe moralin publik të komunitetit dhe është detyrë e gjykatës të veprojë. Liri akademike nuk do të thotë shthurrje akademike. Ajo është liri për të bërrë mirë dhe jo për të mësuar të keqen”
Vendimi gjyqësor nuk u apelua, nën presionin e fortë të autoriteteve politike dhe fetare të shtetit të New York-ut dhe Rassell nuk u lejua të jepte leksione në “City College”.
Në vend të një Epilogu
Ishte një periudhë në historinë e njerëzimit, që zgjati pothuajse 2000 vjet, ku Kisha pretendonte se kish monopolin e Dijes dhe të Vërtetës, një periudhë qe krijoi dogmat dhe dogji apo përndoqi mendjet më të ndritura të kohës për t’i mbrojtur ato.
– Sokrati na mësoi të shohim më shumë brenda vetes se jashtë saj, të ekspolorojmë të fshehtat e shpirtit dhe t’i përdorim ato për edukimin e njerëzve.
– Bruno na dha vizionin e një Gjithësie të pafund, në ndryshim dhe lëvizje të përjetshme, me qenien inteligjente si pjesë e saj, duke treguar se si dija shkencore apo mësimet fetare nuk duhen shndërruar në dogma të perjetshme.dhe të pandryshushme.
– Russell pati kurajon të tregojë se ekziston një fushë e gjerë dhe e pamatë e dijes njerëzore me të cilën Kisha nuk ka punë dhe Zoti i saj nuk është bërrë për të shpieguar shkaqet e dukurive të Natyrës. Për të Feja ka lindur dhe mbijeton vetëm nga frika e njerëzve të paditur.
Sot Shkenca ka evoluar tej çdo parashikimi dhe ka shumë shenja se edhe Kisha kërkon të bëjë të njëjtën gjë. Ndonse ende ekzistojnë domenë ku secila pretendon “pronësinë” (aborti, eutanazia, qelizat embrionale etj), për këdo është bërrë e qartë se “gara” e vërtetë midis tyre është ajo se kush prej tyre do t’i japë më shumë Njerezimit atë që ai ka kërkuar ndër shekuj – mirëqenien (konfortin material), lumturinë (paqen me vetveten) dhe sigurinë (minimizimin e konflikteve). Përgatiti – Klodi STRALLA / Alfapress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
