Sot 31 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit/ A e dini se për 20 shkurtin ka një ligj të veçantë?

20 Shkurt 2022, 10:16 / DOSJE ALFA PRESS
Sot 31 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit/ A e dini se për

Dita e sotme shënon 31 vite nga rrëzimi i bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Pikërisht më 20 shkurt të vitit 1001, mijëra qytetarë dolën në shesh për të shembur simbolin e komunizmit e për t’i dhënë fund regjimit.

Ndoshta jo shumë njerëz e dinë, por për 20 shkurtin ka një ligj të miratuar në vitin 2010, “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”.

Ndër të  tjera, ligji parashikon ngritjen e Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, si dhe të monumenteve përkujtimore në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Por 12 vite pas miratimit të ligjit, këto simbole përkujtimore nuk janë bërë realitet e po ashtu nuk ka një Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.

Ligji i plotë:

Ligj nr.10241, datë 25.2.2010 “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”.

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, vendosi:

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e disa simboleve, në përkujtim të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga regjimi komunist në Shqipëri.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me simbole nënkuptohen: muze, obelisk, monumente dhe një datë e përkujtimit publik të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga regjimi komunist në Shqipëri.

Neni 3

Këshilli i Ministrave shpall datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, si “Dita e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Përkujtimi i kësaj date bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 4

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 5

Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore për ngritjen e Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, si dhe të monumenteve përkujtimore në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Neni 6

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 3, 4 e 5, të nxjerrë aktet nënligjore brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Shpallur me dekretin nr.6467, datë 18.3.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Po ndodh...