"19 ndeshje më shumë se Napoli", Calhanoglu: Nuk ishte e lehtë, por ja ku jemi, në finale të Champions-it

27 Maj 2025, 11:46 / SPORT ALFA PRESS

"19 ndeshje më shumë se Napoli", Calhanoglu: Nuk ishte e

Mesfushori i Interit, Hakan Calhanoglu, një nga liderët e heshtur të skuadrës zikaltër, por një nga elementët më të qëndrueshëm të sezonit, foli në “media day” të organizuar nga UEFA në prag të finales së madhe të Champions League ndaj PSG-së.

Me përvojë gjithnjë në rritje dhe rol qendror në mesfushën interiste, turku ndalet jo vetëm te përballja që po afron, por edhe rrugëtimi i gjatë që ka kaluar Interi për të mbërritur sërish në një finale të tillë europiane.

“Këtë sezon kemi luajtur shumë ndeshje, 19 më shumë se Napoli, – theksoi Calhanoglu. – Duhej ta kishim mbyllur më herët kampionatin, por kemi humbur shumë pikë rrugës. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë jemi në finalen e Champions League”.

Një shifër që flet shumë për ngarkesën fizike e mendore të një skuadre që ka luftuar në të gjitha frontet, por ka ditur të ruajë ekuilibrin e saj pikërisht në momentet më të rëndësishme.

I pyetur për luhatjet në kampionat dhe ndryshimet midis sfidave europiane dhe atyre në Serie A, Calhanoglu shtoi: “Nuk ka qenë e lehtë të luajmë kaq shumë ndeshje në nivel të lartë. Në Champions kemi luajtur kundër Arsenalit, Bayernit dhe Barcelonës, është krejt ndryshe nga kampionati. Kjo do të thotë që jemi shumë të fortë mendërisht”.

Ndoshta reflektimi më i sinqertë vjen kur kujton finalen e Stambollit ndaj Manchester City, ku u mundën 1-0, edhe pse luajtën si të barabartë me yjet e Guardiolës:

“Humbja e finales së Stambollit ka qenë e dhimbshme dhe e vështirë për t’u harruar, por kemi mësuar shumë prej saj. Tani kemi më shumë eksperiencë dhe jemi të lumtur që ndodhemi sërish në finalen e Champions-it”.

Fjalë që dëshmojnë rritjen e një grupi që nuk është thyer, por ka përdorur dhimbjen si karburant për të ecur më tej. Tani, në Mynih, Calhanoglu dhe Interi kërkojnë të shkruajnë historinë.

 

Po ndodh...

ide