Briken Calja shkëlqen me vend të katërt në botë, reagim polemizues: E trishtë të minimizohet djersa

Gëzim dhe zhgënjim, kështu mund të përmblidhet paraqitja e Briken Caljes në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po mbahet në Manama të Bahrejnit. 34-vjeçari hapi sot garat e Shqipërisë në Botëror, teksa konkurroi në Baterinë A për kategorinë e peshave 73 kg.
Ndonëse pesha e viteve ndjehet mbi supe, Calja tregoi se mbetet top, duke bërë paraqitje shumë të mirë në stilin e shkëputjes. Edhe pse gara nuk nisi në mënyrën më të mirë për të, pasi dështoi në dy provat e para me 152 kg, shtangisti shtërmenas shkëlqeu në provën e tretë, duke realizuar me sukses 153 kg. Një rezultat i madh, që e renditi peshëngritësin shqiptar në vendin e katërt në botë, duke afruar shumë me zonën e medaljeve.
Por ndryshe nga stili i shkëputjes, shtyja rezervoi zhgënjim për kampionin kuqezi, i cili dështoi në tri provat me 183 kg, duke mos u klasifikuar në dygarësh. Megjithatë një vend i katërt mbetet rezultat që meriton duartrokitje, aq më tepër që vjen nga një kampion që për vite me radhë e ka mbajtur flamurin kuqezi me medalje botërore dhe europiane.
SHFRYRJA – Pas garës Briken Calja ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke shfryrë ndaj personave që nënvlerësojnë rezultatin e tij në Bahrejn: “Është e trishtë të shohësh që përpjekja dhe djersa e një sportisti minimizohen kaq lehtë nga disa persona.
Vendi i 4-t në botë në shkëputje është rezultat i një pune të palodhur, sakrificave të pafundme dhe pasionit për sportin. Le të mos harrojmë se bota numëron 8 miliardë njerëz, dhe të jesh mes më të mirëve nuk është kurrë dështim. Për ata që e quajnë këtë një dështim, ju ftoj të ecni në rrugën time qoftë edhe për një ditë. Kritikat dashakeqe nuk më ndalin, vetëm më japin forcë për të shkuar më lart”, shkruan Calja. Garat e Shqipërisë në Botëror do të vijojnë ditën e nesërme në orën 10:30 me Erkand Qerimajn dhe Kristi Ramadanin, të cilët do të konkurrojnë në Baterinë B të peshave 81 kg.
Po ndodh...
ide
Rilindja është Kapitalizmi i Katastrofës
Pse tifozeria e Kosovës ishte aq e vdekur dhe mungonin simbolet kuqezi?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

