Modriç zbarkon në Milano: Na presin sfida të mëdha

15 Korrik 2025, 14:31 / SPORT ALFA PRESS

Modriç zbarkon në Milano: Na presin sfida të mëdha
Pas një pritjeje të gjatë dhe plot spekulime, Milani ka zyrtarizuar një nga goditjet më të mëdha të merkatos së verës. Luka Modriç është kuqezi. Mesfushori kroat, i larguar me emocion nga Real Madridi pas pjesëmarrjes në Botërorin për Klube, ka mbërritur në Milano për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij të lavdishme.

Transferimi i Modriç është lëvizja e dytë e rëndësishme në repartin e mesfushës për Milanin këtë verë, pas afrimit të Samuele Riçit. Me këtë përforcim, drejtuesit shpresojnë të shuajnë edhe pakënaqësinë e tifozëve pas dështimit për të sjellë në skuadër Arçi Braun, një situatë që u shoqërua edhe me ironi në rrjetet sociale nga Fenerbahçe dhe Zhoze Murinjo.

MBËRITJA- Modriç zbriti në aeroportin e Malpensës rreth orës 11:20 dhe menjëherë ka nisur procedurat për vizitat mjekësore në klinikën “La Madonnina”. Gjatë daljes së tij, ai u ndal për pak minuta për të përshëndetur gazetarët dhe tifozët e pranishëm, duke thënë: “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Më presin sfida të mëdha”.

KONTRATA- Pasi përfundoi me sukses të gjitha kontrollet mjekësore dhe mori miratimin për gjendjen fizike, Modriç shkoi në selinë e klubit, ku firmosi kontratën që do ta mbajë të lidhur me kuqezinjtë deri më 30 qershor 2026. Mesfushori 39-vjeçar do të mbajë fanellën me numrin 14, të njëjtën që mbante sezonin e kaluar Tizhani Reijnders, i cili u transferua te Mançester Siti.

MESAZHI- Pas nënshkrimit, Modriç dërgoi një mesazh të shkurtër përmes rrjeteve zyrtare të klubit, duke falënderuar tifozët për mikpritjen dhe duke premtuar përkushtim maksimal. Më pas, ai u kthye sërish në Zagreb për të shijuar disa ditë pushimi përpara se t’i bashkohet skuadrës së Masimiliano Alegrit në fillim të muajit gusht. PESHA- Për Milanin, ardhja e Modriçit është shumë më tepër sesa një transferim prestigjioz. Ai përfaqëson përvojë, klas dhe lidership për një skuadër që synon rikthimin në majat e futbollit italian dhe europian. Sfida ka nisur dhe Modriç është gati ta udhëheqë.

 

Po ndodh...