Nga rekordet, tek emocionet dhe tifozët: Europiani që fitoi kombëtarja shqiptare!

25 Qershor 2024, 15:22 / SPORT ALFA PRESS

Nga rekordet, tek emocionet dhe tifozët: Europiani që fitoi

Kombëtarja shqiptare luajti mbrëmjen e djeshme ndeshjen e fundit në Euro 2024, pasi nuk arriti të kualifikohej për fazën e eliminimeve direkte.

Kuqezinjtë u renditën të fundit në atë që nga shumë u cilësua si “grupi i ferrit”, pas Spanjës, Italisë dhe Kroacisë. Sigurisht, djemtë e Sylvinhos luftuan deri në sekondat e fundit për një rezultat tjetër, por pa fat.

Megjithatë, nga Gjermania largohemi pa “pishman”, sepse Shqipëria e ka fituar tashmë Europianin e saj!

Le të kthehemi pak pas në kohë që të kujtojmë se përse duhet të festojmë:

Shqipëria arriti që të kualifikohej për herë të dytë në historinë e saj në një kampionat europian, pas vitit 2016. Dhe kjo sigurisht nuk është një arritje e vogël. Arritëm në Gjermani, pas një faze kualifikuese të shkëlqyer, me gola, emocione, lojë të bukur, e mbi të gjitha si koka e grupit.

Natyrisht, për këtë arsye pritshmëritë ishin të larta ndoshta edhe për të kaluar më tej se faza e grupeve. E megjithatë, fati donte që të na sprovonte, duke na vendosur në një nga grupet, në mos më të vështirin.

Spanja, Italia dhe Kroacia, këto ishin kundërshtarët tonë në këtë rrugëtim. E para e shpallur Kampione Bote dhe Europe, e dyta, kampione në fuqi e Europës, dhe e treta, finaliste e Kupës së Botës.

Me të nisur, më 15 qershor, Shqipërisë i mjaftuan vetëm 23 sekonda për të hyrë në histori, pasi Nedim Bajrami shënoi golin më të shpejtë të historisë së një Kampionati Europian.

U deshën plot 20 vite që ky rekord të thyhej dhe duke parë pikërisht ato 23 sekonda, do duhen akoma më shumë për të ulur nga froni Bajramin. Atë ndeshje e humbëm. Ndoshta dhe mund ta kishim fituar por mos harrojmë se përballë kishim emra të mëdhenj.

Por nuk mjaftoi kaq, pasi edhe në ndeshjen e dytë, do ishte Gjasula që do vendoste një rekord të ri. Ai është i pari futbollist që ka shënuar autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje gjatë kampionatit europian. Rekord i çuditshëm po, por që do mbahet mend se u vendos nga një shqiptar.

E sa i përket ndeshjes së dytë, morëm pikën e parë në këtë kompeticion, por mbi të gjitha dhuruam spektakël. Të shumtë ishin ata tifozë futbolli që e cilësonin si ndeshjen më të bukur që kishin parë deri në ato momente.

Dhe në fund, erdhi Spanja. Një skuadër e “frikshme” që i kishte shënuar 5 gola Kroacisë dhe kishte mundur Italinë. E megjithatë, Shqipëria u përball si e barabarta, ashtu si edhe me dy skuadrat e tjera. Vërtet humbëm, por e sigurt është që kombëtarja kuqezi arriti të hynte në zemrat e shumë tifozëve, jo vetëm atyre të shqiptarëve.  E mbi të gjitha, fitoi eksperiencën, që një vendi të vogël si i yni, i mungonte.

Nëse ndalemi tek shqiptarët, tifozët në Gjermani i treguan Evropës se kush jemi ne, me një sjellje për tu marrë shembull. Nga Dortmundi, në Hamburg e në Duseldorf, stadiumet u pushtuan nga shqiptarët që nuk nguruan në asnjë moment të brohorisnin për ekipin, qoftë dhe një disfatë.

Shqipëria u largua më shpejt se ç’duhej nga Europiani për atë çfarë tregoi, e megjtihatë, e sigurt është se për “shqiponjat” nga Ballkani do flitet gjatë.