Ik Sali të bjerë Rama
Për vite me radhë, Edi Rama dhe Sali Berisha janë paraqitur si kundërshtarë të përbetuar. Në realitet, ata kanë qenë garancia më e madhe e mbijetesës politike të njëri-tjetrit. Sa herë që dobësohet njëri, ringjallet tjetri. Sa herë që qytetarët kërkojnë ndryshim, politika kthehet sërish në duelin Rama-Berisha.
Prandaj Rama bëri gjithçka për ta risjellë në skenë Berishën në ditët e tij më të zeza. Prandaj kunata e Belinda Ballukut i dha vulën e PD, prandaj gjykata e larte e mban peng një gjykim për këtë vendim skandaloz. Sepse Sali Berisha i duhet Ramës si patericë, ku ka mbështetur fatin e tij.
Të dy kanë sfiduar protestat, të dy kanë injoruar zemërimin qytetar dhe të dy kanë ndërtuar një sistem ku pushteti ushqehet nga frika ndaj alternativës. Për sa kohë ekziston njëri, tjetri e përdor si alibi për dështimet e veta.
Por ekziston një frikë edhe më e madhe që i bashkon: Frika nga e vërteta që mund të dalë nga dosjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Dosjet e fundit të SPAK kanë zbuluar një panoramë tronditëse. Sipas hetimeve, organizata kriminale e drejtuar nga Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku dyshohet se kishte ndërtuar një mekanizëm të sofistikuar që niste me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine, vazhdonte me gjenerimin e miliona eurove fitime dhe përfundonte me investimin e tyre në ekonomi përmes ndërtimeve, rezidencave turistike, hoteleve, kompanive dhe pasurive të paluajtshme.
Sipas SPAK, mbi 128 milionë euro pasuri janë sekuestruar në këtë operacion, ndërsa qindra llogari bankare, vila, apartamente, toka, kompani dhe mjete luksoze janë vënë nën sekuestro. Në një tjetër operacion, hetuesit kanë dokumentuar një rrjet që dyshohet se trafikoi dhjetëra ton kokainë dhe që investoi fitimet në sektorin e ndërtimit, hoteleri dhe pasuri të paluajtshme, me pasuri të sekuestruara që arrijnë rreth 150 milionë euro.
Elementi më alarmues, nuk është vetëm trafiku i drogës. Është mënyra se si paratë e dyshuara kriminale depërtojnë në ekonominë formale, në kulla, resorte, hotele dhe projekte ndërtimi. Pikërisht aty ku politika ka dhënë leje, ka miratuar plane zhvillimi dhe ka mbyllur sytë përballë pyetjeve që nuk duhej të mbeteshin pa përgjigje.
Prandaj pyetja nuk është vetëm kush i solli këto para. Pyetja është kush i lejoi të pastroheshin.
Nëse Shqipëria është kthyer në një destinacion tërheqës për kapital me origjinë të dyshimtë, kjo nuk mund të ketë ndodhur pa mbështetje politike, pa heshtje institucionale dhe pa një sistem që ka preferuar të shohë nga ana tjetër. Aty janë gjurmët e gishtërinjëve të Ramës dhe Berishës. Familjarët e këtij të fundit janë përfolur, si të lidhur me këta element në ndërtim dhe biznes.
Kjo është arsyeja pse dosjet e pastrimit të parave trembin si Ramën ashtu edhe Berishën. Sepse gjurmët e këtyre aferave nuk ndalen te biznesmenët, ndërtuesit apo kompanitë. Ato të çojnë drejt vendimmarrjes politike. Dhe sa më shumë zbardhen këto skema, aq më e qartë bëhet se beteja e vërtetë nuk është mes Ramës dhe Berishës, por mes Shqipërisë së kapur nga interesat personale të Ramës dhe Berishës dhe Shqipërisë që kërkon drejtësi.
Shqiptarët nuk kanë më nevojë për një tjetër kapitull të teatrit Rama-Berisha. Kanë nevojë për mbylljen e këtij kapitulli. Sepse largimi i njërës figurë pa largimin e modelit që përfaqëson tjetra nuk sjell ndryshim.
Prandaj thirrja nuk është thjesht “Ik Rama” apo “Ik Berisha”. Thirrja është: ik Sali, të bjerë Rama. Të bjerë sistemi që i ka mbajtur të dy në këmbë dhe që ka mbajtur peng Shqipërinë për më shumë se 30 vjet./Alfapress.al
Po ndodh...
Ik Sali të bjerë Rama
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128