"Stadiumi i Juves kandidat për finalet e Europa League dhe Conference League 2028-29"

2 Nëntor 2025, 11:41 / SPORT ALFA PRESS

"Stadiumi i Juves kandidat për finalet e Europa League dhe Conference

Torino, së bashku me stadiumin e Juventusit, është kandidat për të pritur finalet e Europa League dhe Conference League në vitet 2028 dhe 2029. 

UEFA e njoftoi këtë, pasi mori deklarata interesi nga pesëmbëdhjetë shoqata anëtare për finalet e garave të klubeve në vitet 2028 dhe 2029.

Qytetet e tjera kandidate për të pritur finalet e Europa League janë: Parisi ose Lioni (Francë, 2028 dhe 2029), Bukureshti (Rumani, 2028 dhe 2029), Beogradi (Serbi, 2028) dhe Ankaraja (Turqi, 2029), ndërsa për finalet e Conference League qytetet në garë janë Lille (Francë, 2028 dhe 2029), Budapesti  (Hungari 2028 dhe 2029), Astana ose Almaty (Kazakistan, 2028 dhe 2029),  Gdansk (Poloni, 2028 dhe 2029) dhe Helsinki (Finlandë, 2029).

Stadiumi i Juventusit ka pritur tashmë finalen e Ligës së Evropës në vitin 2014, gjysmëfinalen dhe ndeshjen për vendin e tretë të Ligës së Kombeve në vitin 2021, dhe finalen e Ligës së Kampionëve të Femrave në vitin 2022. 

"Stadiumi është një simbol i përsosmërisë", deklaroi presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina," dhe Torino është një qytet ideal për të pritur një ngjarje prestigjioze futbolli. Mbi këtë bazë, dhe në sajë të bashkëpunimit themelor me Juventusin dhe Bashkinë, ne duam të përfundojmë dosjen e kandidaturës, e cila ka si objektiv, pas Superkupës së UEFA-s në Udine verën e kaluar, të sjellë një tjetër ngjarje të madhe në Itali.

Ne gjithmonë kemi qenë të bindur, në fakt, se vetëm përmes organizimit të ngjarjeve të kësaj madhësie mund të gjenerojmë një trashëgimi të jashtëzakonshme për zhvillimin e territoreve të përfshira, si në futboll ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe social."

Deklaratat e interesit nuk janë detyruese dhe propozimet përfundimtare duhet të dorëzohen së bashku me dosjet e kandidaturës deri më 10 qershor 2026. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të formalizojë gjashtë finalet në shtator të vitit të ardhshëm .

UEFA ka marrë gjithashtu tre oferta për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2028: Fußball Arena në Mynih, stadiumi Wembley në Londër dhe Camp Nou në Barcelonë. 

 

Po ndodh...

ide