Statistika që favorizon Shqipërinë, Spanja e De la Fuentes zhgënjen me rezervat

24 Qershor 2024, 16:18 / SPORT ALFA PRESS

Shqipëria do të luajë ndeshjen më të rëndësishme në historinë e futbollit tonë ndaj Spanjës më 24 qershor, mbrëmjen e së hënës.

Statistika që favorizon Shqipërinë, Spanja e De la Fuentes

Ajo do të jetë ndeshja e fundit në Grupin B dhe një fitore e Shqipërisë do të na çonte për herë të parë në fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian.

Teksa sheh emrin e kundërshtarit dhe paraqitjen e tyre në dy ndeshjet e para, shanset për Shqipërinë janë pothuajse zero. Fatmirësisht, Spanja e ka siguruar vendin e parë në grup dhe ndaj skuadrës së Sylvinhos do të zbresë në fushë me formacionin e dytë.

Sigurisht, edhe pse jo si “yjet” që luajtën ndaj Kroacisë dhe Italisë, ekipi i dytë është i mbushur me lojtarë të klasit tejet të lartë.

Megjithatë, një detaj, i cili ndoshta ka shpëtuar në këto ditë të ethshme para sfidës: që nga Botërori i Katarit, dimrin e vitit 2022, Spanja ka humbur vetëm dy herë, ndaj Skocisë më 23 mars 2023 me rezultatin 2-0 dhe në ndeshjen miqësore ndaj Kolumbisë më 22 mars 2024 me rezultatin 1-0.

E veçanta e këtyre dy ndeshjeve është se trajneri De la Fuente ka luajtur me formacionin e dytë, ashtu siç do bëjë ditën e hënë ndaj Shqipërisë.

Dëshira është shumë e madhe që edhe në këtë ndeshje ata të zhgënjejnë sërish dhe Shqipëria të triumfojë, duke shënuar emrin e saj me germa të arta në historinë e futbollit europian.

 

 

Po ndodh...