Vëzhgim/ Evi Kokalari, Ylli amerikan i Berishës në sherr ‘me gjithë dynjanë’

17 Dhjetor 2021, 22:18 / POLITIKË ALFA PRESS
Vëzhgim/ Evi Kokalari, Ylli amerikan i Berishës në sherr

Evi Kokalari njihet si shqiptaro-amerikania, e cila u shndërrua në një nga zërat më gjëmues të Foltores.

Kulmi i karrierës së vrullshme politike të saj në Shqipëri, arriti në Kuvendin e 11 Dhjetorit ku pas një rishikimi (fillimisht ishin 27), ajo u fut “me listën shtesë” mes 29 emrave të Komisionit Drejtues të “Partisë Demokratike-Foltorja”.

Në mes të muajit dhjetor “ylli amerikan” i Berishës u bë protagonist në një përplasje të ashpër në media dhe në rrjet, me gazetarë dhe aktivistë publik të të gjithë krahëve.

Gjithçka nisi paraditen e datës 15 Dhjetor, kur Kokalari së bashku me deputeten Albana Vokshi shkuan në selinë e Partisë Demokratike, për të zhvilluar një takim me gratë e Lidhjes Demokratike të Gruas (LDG).

Ky inspektim-karshillëk, vinte menjëherë pas marshimit të Sali Berishës dhe 28 anëtarëve të udhëheqjes së përkohshme të PD-së së 11 Dhjetorit në selinë e PD-së, që ende mbahet nga Lulzim Basha dhe grupi i tij.

Përveç përplasjes verbale me tone të ashpra me disa gra që mbronin Lulzim Bashën në korridor, Kokalari, lëshoi fjalë të rënda edhe për gazetarët e shumtë që ishin të pranishëm në këtë incident.

 

 

Ajo i quajti “të frikshëm” gazetarët në krye të detyrës, pas një shtyrje të lehtë në tollovinë e madhe që po ndodhte live brenda ambienteve të PD. Pas kësaj Kokalarit ju kërkua që të kërkonte ndjesë, por ajo u largua pa e bërë këtë gjë.

Më pas në media dhe në rrjet, shpërtheu një debat i ashpër.

Po atë ditë në mbrëmje, te “Zona Zero” që transmetohet në “Top Neës”, drejtuesi i emisionit Thimi Samarxhi tentoi që të lidhej me zonjën Kokalari, për të sqaruar incidentin dhe etiketimet që ajo ju bëri gazetarëve por, edhe për rolin e saj në lëvizjen e fundit brenda PD-së të drejtuar nga Sali Berisha; a paguhet për këtë aktivitet të shtuar dhe cilat janë qëllimet e saj?

Kokalari refuzoi ftesën e Samarxhi, por ju përgjigj në nëpërmjet një shënimi në faqen e saj në FB.

 

 

“Për gazetarët si Thimi Samarxhiu;

Të gjithë kemi një punë. Unë kam ardhur me harxhet e mia, duke sakrifikuar kohë, energji dhe e papaguar dhe po bëj një punë që ma kanë besuar Shqiptarët. Ama, nuk dua të kthehem në jetën time normale me një këmbë apo një dorë të thyer.

Unë e kuptoj detyrën e vështire të kameramanëve, por këtu duhet të ketë disa norma për të mos rrezikuar askënd fizikisht në proces.

Ndërkohë hipokrizia e Thimit është kur thotë se nëpërmjet tyre politikanët shkojnë tek qytetarët, unë di që nëpërmjet Thimit, tek qytetarët jam përcjellë me shpifje të Demalias, për të cilat e kam hedhur në gjyq.

Ah, dhe s’kam thënë ndonjëherë që gazetarët janë të frikshëm. Thashë që janë të frikshme shtyrjet, sepse vërtet nuk dua të vritem.

Faleminderit atyre kameraman që më kërkuan falje, sepse nuk ishte incident i izoluar por ndodhi disa herë sot.

Tashti mirë është të kerkojne falje gazetarët qe ju kanë dhënë platformë shpifjeve ndaj meje. Personalisht këto i marrë shumë seriozisht.

Respekt për ata që kanë treguar profesionalizëm total gjatë këtyre muajve të fundit. Atyre ja kam shprehur dhe personalisht”, shkruante Kokalari.

Pas kësaj drejtuesi i “Zona Zero” përsëriti ftesën për Kokalarin, kurse për “incidentin” ju përgjigj gazetari i Top News Bekim Bici, ishte edhe protagonist në momentin e ngjarjes.

“Dy fjalë për ju zonja Evi Kokalari!

Zonja Kokalari, kolegu Thimi Samarxhiu as nuk ju ofendoi, as nuk tha ndonjë të pavërtetë, thjeshtë reagoi mbi informacionin që unë përcolla për të gjithë ndjekësit e Top News dhe ‘Zona Zero’, por zonja Kokalari, ju mund t’i hidhni ‘hi syve’ kolegut nga studio, (edhe për këtë jam i sigurt që nuk ndodh) por jo ne që ju ndoqëm në çdo moment.

Zonja Kokalari, ju kërkuat të ju ndiqnim, e kërkuat së bashku me zonjën Vokshi, e të gjithë mediat pranuan dhe po ju transmetonin në gjithçka që ju po bënit.

Teksa ngjiteshim për në katin e dytë nga shkallët që nuk i marrin më shumë se dy persona, ndoshta si unë edhe 3, aty ishin të gjitha mediat, për të ju transmetuar ju sa më qartë, e në këtë tentativë, ju i quajtët kolegët operatorë të frikshëm, pasi me kamera e stativë në duar, ju shtynë pa vetëdije e pa qëllim.

Ju zonja Kokalari, e patë sesi të gjithë po tentonim të vendosnim mikrofonët që të ju jepnim zë juve, dhe në një perimetër aq të vogël që kishin shkallët, të gjithë po shtyheshim për të ju dhënë ju këtë zë, por për ju kjo ishte e frikshme.

Ju kërkuam të kërkonit ndjesë, por ju vijuat në tuajin qëndrim, që për mua zonjë nuk ishte as më pak e as më shumë se qëndrim arrogant, madje kërkuat të mos ju ndjekim, kur vetë ju dhe zonja Vokshi kërkuat në krye të herës që të vinim me ju.

Ju zonjë keni të drejtë kur konsideroni të frikshme një shtyrje, apo kur konsideroni të frikshëm kolegët që mund të ju kenë shtyrë, theksoj, për të ju dhënë zë juve, sepse nuk e dini çdo të thotë të tërhiqeni zvarrë, të kërcënoheni, të shoqëroheni për orë të tëra në polici, të intimidoheni madje edhe të dhunoheni, e për çfarë, për të informuar qytetarët, e për të ju dhënë zë të gjithëve madje edhe atyre si ju. Në fakt keni të drejtë kjo është e frikshme.

Zonja Kokalari, ne e kuptojmë se ju mund të jeni e stresuar, nën presionin e ngjarjeve që po rrjedhin në opozitë, por nuk mund të arsyetoj sesi një person që ka jetuar ndër vite në Amerikë, të ketë një sjellje të tillë si ju e patët me median.

Zonjë të gabosh është njerëzore, të kërkosh falje është hyjnore, por të këmbëngulësh në gabim, është djallëzore.

Dhe diçka, kameramanët kërkuan falje që pa vetëdije e paqëllim mund të ju kenë shtyrë, por ju a e bëtë pasi ofenduat?

Dhe ashtu siç kolegu ju tha, sa herë që të keni diçka për të thënë unë e Top News jemi të hapur, madje që nesër nëse doni!

Më poshtë keni videon që fakton të kundërtën e asaj që pretendoni ju. Të kërkosh falje nuk është ulje por e dinjitetshme…”, shkruante Bici.

Por sherri nuk është ndalur me kaq, pasi Kokalari ka sulmuar edhe aktivistë publik si Elona Caslli e cila është një zë popullor kundër qeverisë Rama dhe veçanërisht ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Dhe “më e bukura” është se Caslli nuk kishte shkruar deri në atë moment asnjëherë për Kokalarin pasi perceptoheshin “aleatë”, siç konfirmoi ajo vetë për “Alfapress.al”.

Madje theksojmë se në skizmën që po ndodh brenda Partisë Demokratike Caslli është pozicionuar në mënyrën e saj, kundër Lulzim Bashës njësoj si Kokalari.

Duket se “sebep” ka qenë një video e shpërndarë në rrjet ku Kokalari vlerëson dhe falenderon Erion Velinë për ndihëm e tij, në një projekt të sajin.

http://https://www.facebook.com/www.hashtag.al/videos/3138823896362030

Mediat dhe rrjeti i kujtoi asaj dy standardet që përdor, pasi në një nga Foltoret e para ajo e cilësoi Erion Velinë, si një njeri të besuar të Soros dhe më të rrezikshëm edhe se vetë Edi Rama.

Gjithashtu në këtë kuptim, Kokalari është kritikuar nga mbështetësit e Berishës edhe për takimin-drekë pune, që pati me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila nga berishistët cilësohet “armike” dhe në shërbim të Sorosit, Ramës e tashmë të “krye-armikut” Lulzim Basha.

Po çfarë shkroi në faqen e saj në FB Kokalari?

Elona Caslli, unë jam nga ato që mund të ulem nesër për kafe dhe me Edi Ramën dhe Veliajn, por gjithashtu s’kursehem kurrë për t’ja thënë realitetin copë në fytyrë.

Ju, jo vetëm që nuk e keni atë kapacitet, por shoh qartë që ju mungon IQ e duhur për të kuptuar si funksionojnë politika & diplomacia. Dialogu hap shumë dyer. Mos komunikimi me oponentin, të bën thjeshtë një militant.

Herës tjetër që hidhni baltë mbi integritetin tim duke manipuluar videot, ju sugjeroj mos më fusni më mik që të fshij mesazhet ndaj jush. Madje, do intesifikoj çdo sulm publik, derisa ta ndjeni dëmin tek ndjekësit tuaj. Çdo gjë është ‘Fair Game’. Dhe kjo shkon për të dy ju, ty & Sejkon e Desadës.… dhe kur flet për dinjitet, kujtohu që dinjitetin e bëjnë virtutet, jo fjalët!!”, ishin fjalët e shkruara në 16 Dhjetor që ndezën debatin virtual.

Interesante në këtë tekst është se Kokalari përveçse te Elona Caslli (e te këshilltarja e Bashës Desada Metaj, me të cilin ka pasur më herët po një zënkë të ashpër), ka dyshime edhe te Genc Sejko i ashtuquajturi “Mbret i Memeve”, i cili gjithashtu është kundër Ramës, Veliajt, Soros dhe madje edhe Bashës.

Menjëherë pas kësaj, Elona Caslli i kthen përgjigje, duke i kujtuar se fyerja nuk është argument.

“Në përgjigje të zonjës Evi Kokalari

Zonja Kokalari ju gëzoni të drejtën të uleni me këdo dhe kurdo, pasi keni kohë që e keni kaluar moshën e pjekurisë.

Lidhur me kapacitetin tim mendor pohoj paraprakisht kufijtë përkatës të cilët sigurisht mund të përcaktohen nga testet dhe specialistët përkatës dhe jo medoemos nga qasja ndaj politikës në vend apo nga ju.

Lidhur mbi çështjen e diplomacisë ju siguroj që jo vetëm mua, por të gjithë popullit shqiptar ambasadorja amerikane është kujdesur që t’i japë një leksion të qartë mbi atë çka një diplomate nuk duhet të jetë kurrë. Pra, çdo shqiptar e di mirë që e kundërta e Yuri Kim-it është diplomaci e vërtetë.

Lidhur me baltën e hedhur ndaj jush zonjë, më duhet t’ju zhgënjej për t’ju thënë se nuk ka asnjë rast ku kam hedhur baltë mbi ju ndaj argumenti juaj është kryekëput bosh.

Ju keni kryefjalë ” konservatorizmin” zonjë, ndërkohë që në të gjithë statusin tuaj përdorni veçse fyerjen si argument.

Për të përligjur reagimin tuaj fyes, ju ftoj të citoni një status apo një qëndrim timin ku ju jeni baltosur.

Nuk keni ku ta gjeni, pasi nuk ekziston zonja Kokalari e për sa kohë nuk ekziston, statusi juaj shkruhet në akull.

Post Scriptum- Të vetëshpalleni konservatore është një gjë. Të silleni si e tillë është një gjë tjetër. Fyerja nuk është argument Kokalari”, ishte replika e Casllit me tone më të buta dhe të përmbajtura.

Kujtojmë se Evis Kokalari ka qenë protagoniste në sherre të ashpra në debate televizive edhe me deputeten, Grida Duma, të cilën e ka quajtur “imorale”.

Gjithashtu ajo është përplasur me komentatorin politik Ilir Demailaj, shqiptaro-amerikan, të cilin madje edhe e ka paditur gjyq për shpifje pasi ky i fundit pretendon, se ajo është kushërirë e Enver Hoxhës.

Gjithashtu Kokalari ka replikuar me gjuhë të vrazhdë edhe me gazetaren, Desada Metaj, e cila drejton grupin e këshilltarëve mediatik të Lulzim Bashë, Fatbardh Kadillin,etj… me shumë analistë, si dhe me komentues të shumtë në faqen e saj në Facebook.

 

 

 

 

Po ndodh...