7 Marsi nën “Rum Milet” institucioni i pushtetit Osman

7 Mars 2022, 10:19 / DOSJE ALFA PRESS
7 Marsi nën “Rum Milet” institucioni i pushtetit Osman

Këtë 7 mars, ne shqiptarët, kremtojmë 135 vjetorin e të parës shkollë shqipe laike të kombit tonë, që historia e njeh si “Mësonjëtorja e parë shqipe”. Nuk dua të shkruaj për të apo për mësonjësit e parë të saj, sepse për ta ka sot materiale të bollshme: Dokumentet, monografi apo kujtime të bashkëkohësve. Ajo që më shtyu ta bëj këtë shkrim modest është fakti që shumë nga ne, na mungon “sensi i kohës”, d.m.th interpretimi dhe vlerësimi i ngjarjeve në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur. Kjo mangësi, mendoj unë, ndonjëherë na bën euforikë, për t’a glorifikuar të shkuarën, por hera-herës edhe nihilistë, për të mohuar gjithçka të dobishme që është bërë nga paraardhësit tanë, në kushtet tejet të vështira të kohës kur vepruan.

Me pushtimin e Kostandinopojës nga sulltan Mehmeti i II-të, më 1453, osmanët, si pragmatistë që ishin, shkatërruan strukturat shtetërore bizantine, ndërsa me Kishën ortodokse – Partriarkanën, bënë atë që Historia e njeh si “Kompromisi i Madh”. Juristët osmanë krijuan institucionin e Miletit, që ishte një bashkësi fetare, e njohur zyrtarisht nga pushteti osman, që vetadministrohej në fusha të tilla, si besimi, zakonet, arsimi, shëndetësia, punët publike etj.

Të krishterët e Ballkanit: grekët, bullgarët, serbët, malazezët, shqiptarët dhe vllehët, bënin pjesë në “Rum Milet”. Institucioni më i lartë, me seli në Stamboll, ishte Patriarkana Ekumenike, që udhëhiqej nga Patriku Ekumenik, i cili zgjidhej nga Sinodi i Shenjtë dhe miratohej nga Sulltani. Ai ishte funksionar i lartë i Perandorisë dhe anëtar i Divanit (Këshillit të Ministrave), duke gëzuar titullin onorifik, pasha me tre tuqe. Patriarkana e Stambollit emëronte dhe shkarkonte të gjithë klerin ortodoks në Dioqezat e veta, ishte njëherazi strukturë administrative, pushtet gjyqësor, dhe pronar godinash, trojesh, kullotash, pyjesh, kapitalesh bankare, duke pasur arkën e vet të pavarur nga pushteti osman. Ishte një rrjet kapilar, pushteti i të cilit shtrihej mbi çdo komunitet ortodoks të Ballkanit.

Këto privilegje shekullorë të Kishës, kërkonin që ajo të përçonte tek besimtarët e vet, nënshtrim ndaj autoritetit pushtues turk. Pra, me pak fjalë, Elita fetare e Fanarit pranoi t’i shërbente perandorisë duke marrë si shpërblim administrimin e të krishterëve, në disa fusha të caktuara, duke pasur edhe përfitime jo të vogla pasurore. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur edhe reprezalje nga ana e osmanëve mbi popullsitë e krishtera, apo flirte të këtyre të fundit kundër turqve me shtete të tjera ortodokse, si Rusia, gjatë bashkëjetesës rreth 500 vjeçare.

Në Korçë, për të krishterët, ky institucion përfaqësohej nga Mitropolia. Ajo funksiononte mbi bazën e një Këshille kolegjiale, të quajtur Dhimogjerondi (ku bënin pjesë paria ortodokse e qytetit) dhe udhëhiqej nga Mitropoliti (Dhespoti), që emërohej drejtpërdrejt nga Patriarkana. Ndërsa priftërinjtë e fshatrave ishin vendas, mitropoliti ishte gjithmonë grek. Në kohën kur u çel shkolla shqipe (1887), Dioqeza e Korçës, përfshinte Kolonjën, Devollin, Pogradecin dhe Leskovikun.

Miropolia ishte jo vetëm qendra e besimit ortodoks (Kisha), por edhe Gjendje Civile dhe Gjykatë për të krishterët. Fëmija i porsalindur, pas pagëzimit, regjistrohej në Mitropoli; martesa, pas kurorëzimit në Kishë, regjistrohej në Mitropoli; i vdekuri nuk mund të varrosej në varrezat ortodokse të qytetit pa lejën e Mitroplolisë. Ajo administronte shkollat, emëronte dhe shkarkonte mësuesit e tyre (shkollat ishin vetëm në gjuhën greke). Kishte një Arkë popullore, që quhej “Llaso”, ku besimtarët dhuronin të holla, troje apo godina, të cilat përbënin një pasuri të konsiderueshme për kohën, me të cilat mbahej personeli fetar dhe shkollat. Mitropoliti (Dhespoti) ishte anëtar i Këshillit osman të qytetit dhe bashkë me Mytesarifin (kryebashkiakun) dhe Myftiun (për komunitetin mysliman), përbënin pushtetin real në krahinë. Për ta, të gjithë të krishterët ortodoksë ishin grekë, dhe të gjithë muhamedanët ishin turq, pavarësisht gjuhës që ata flisnin.

Ja pra, kundra kësaj strukture të dyfishtë, të pushtetit politik osman, nga njëra anë dhe pushtetit kishtar të Patriarkanës, nga ana tjetër, armiq të çështjes shqiptare, duhet të luftonin patriotët korçar, me në krye Jovan Cico Kosturin, kur morën përsipër të venë në jetë vizionin largpamës të Rilindësve, se pa shkollën shqipe, pa shkrim e këndim në gjuhën shqipe, nuk do të kish Shqipëri të pavarur.

 

Në foto, patrioti Korça Jovan Cico Kosturi (1831-1924), i quajtur edhe Jovan shqiptari, pa ndihmesën, materiale dhe morale, të së cilit nuk do të qe bërë e mundur të çelej “Mësonjëtorja e parë shqipe”

 

 

 

 

Po ndodh...