Alergjitë këtë vit më të rënda, mostrajtimi i kthen në sëmundje kronike

1 Maj 2026, 09:33 / AKTUALITET ALFA PRESS

Alergjitë këtë vit më të rënda, mostrajtimi i

Në kulmin e pranverës, bashkë me çeljen e luleve dhe rritjen e temperaturave, për një kategori personash, rikthehet edhe stina e alergjive.

Teshtimat e shpeshta, lotimi i syve, kolla e thatë dhe e shpeshtë, gërvishtjet e fytit dhe të tjera simptoma si këto, e bëjnë edhe më të vështirë përditshmërinë e personave të prekur nga alergjitë e stinës.

Mjeku alergolog në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, Prof. Mehmet Hoxha, thotë për ATSh-në se sezoni polenik ka nisur më herët se vitet e tjera, që në javën e dytë të marsit, dhe ka arritur kulmin gjatë muajit prill.

“Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit simptomat nuk janë kufizuar vetëm në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por kanë prekur edhe ato të poshtme, duke shkaktuar raste më të shpeshta të astmës bronkiale”, tha Shehu.

Sipas mjekut, këtë vit ka edhe raste më të rënda të shtrimeve në spital, të pacientëve që janë paraqitur me gjendje më të rënduar astmatike.

“Ndryshe nga vitet e tjera, kur polinoza qetësohej më shpejt, këtë vit pacientët kanë qëndruar disa ditë në spital për të kaluar krizën,” shprehet Hoxha.

Simptomat më të zakonshme të alergjisë sezonale përfshijnë teshtima të shpeshta, lotim të syve, bllokim të hundëve dhe kollë të thatë irrituese, që ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës.

Sipas mjekut Hoxha, pacientët raportojnë edhe shenja më të rënda si fishkëllima në gjoks, shtrëngim në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje, duke e bërë të vështirë aktivitetin ditor dhe gjumin.

Prof. Hoxha thekson rëndësinë e një diagnoze të saktë, e cila realizohet përmes testeve të lëkurës dhe analizave alergjike molekulare.

“Vetëm pasi identifikohet shkaktari konkret i alergjisë, mund të vendoset për trajtimin më të përshtatshëm, përfshirë imunoterapinë, e cila konsiderohet një metodë që ndryshon rrjedhën e sëmundjes dhe në shumë raste është jetëshpëtuese”, vijoi ai.

Sipas mjekut Hoxha, një tjetër shqetësim mbetet vetëmjekimi.

“Shumë pacientë zgjedhin të marrin antihistaminikë pa konsultë mjekësore, duke menduar se po zgjidhin problemin. Por, kjo qasje vetëm lehtëson përkohësisht simptomat dhe nuk adreson shkakun e sëmundjes. Nëse nuk trajtohet siç duhet, alergjia sezonale mund të kthehet në një sëmundje kronike që kërkon mjekim gjatë gjithë jetës,” tha Hoxha.

Mjeku Hoxha apelon për kujdes të shtuar gjatë këtij sezoni dhe konsultë të hershme me mjekun specialist, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i gjendjes dhe komplikacionet afatgjata./ATSH

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 12:30 EDITORIAL

Sali Brava

Nga Bato Kosova

ide