"Duan 500 kg, nëse nuk pranon, të vr*sin", BBC: Ja si mafia shqiptare po mbjell frikë në Ekuador dhe po furnizon Evropën me ...

“Mafia shqiptare më merrte në telefon dhe më thoshte: ‘Duam të dërgojmë 500 kg drogë’. Nëse nuk pranon, të vrasin.”
Ky është rrëfimi tronditës i César-it (jo emri i tij i vërtetë), një anëtar i bandës Kings Latin në Ekuador, i rekrutuar nga një oficer i korruptuar policie për të punuar për mafian shqiptare – një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.
Në vitet e fundit, grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Ekuador, duke kapur kontrollin e rrugëve kryesore të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Portet ekuadoriane, ndonëse në një vend që nuk prodhon drogë, janë shndërruar në korridore kyçe për 70% të kokainës globale që përfundon në tregun evropian.
“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që të zgjidhte problemet,” thotë César, i cili ka punuar për ta në portet strategjike, duke korruptuar zyrtarë, shoferë dhe mbikëqyrës për të lehtësuar rrugët e kontrabandës. Për një ngarkesë, mund të fitonte deri në 3,000 dollarë, por çmimi i mosbindjes ishte vdekja.
Nga portet e Ekuadorit te tregjet europiane
Bandat përdorin metoda të sofistikuara për të futur kokainën në kontejnerë që transportojnë mallra të ligjshme – si bananet, një nga eksportet më të mëdha të Ekuadorit. Sipas përfaqësuesit të industrisë, José Antonio Hidalgo, 66% e kontejnerëve që largohen nga vendi përmbajnë banane, dhe afro 30% e tyre shkojnë drejt Bashkimit Evropian.
Kjo ka krijuar një mbulesë perfekte për trafikun. Disa banda, sipas prokurorëve, kanë themeluar kompani të rreme import-eksporti në Evropë dhe Ekuador. Një nga figurat më të njohura të kësaj skeme është Dritan Gjika, një shtetas shqiptar ende në arrati, i cili dyshohet për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Amerikën e Jugut.
Dhuna në rritje, viktima të shumta
Viti 2025 nisi me shifra tragjike për Ekuadorin: 781 vrasje vetëm në janar, shumica e lidhura me trafikun e drogës. Shoferët e kamionëve që punojnë për kompani të rregullta shpesh e gjejnë veten të përfshirë në këtë zinxhir pa dijeni. Disa detyrohen të transportojnë drogë me kërcënime. “Nëse nuk ndot kontejnerët, ke dy zgjedhje: të lësh punën ose të vdesësh”, thotë Juan, një shofer që dëshiron të mbetet anonim.
Pse Evropa është çelësi i problemit
Prokurorë, zyrtarë dhe vetë trafikantët bien dakord: konsumatorët në Evropë, SHBA dhe Australi janë forca që ushqen këtë tregti gjakderdhëse. Mbretëria e Bashkuar është veçanërisht e ekspozuar – me një konsum vjetor që arrin mbi 117 tonë kokainë dhe një treg me vlerë 11 miliardë paund, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimeve (NCA).
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, e përmblodhi situatën kështu: “Zinxhiri që përfundon në ‘argëtim në Mbretërinë e Bashkuar’ përfshin shumë dhunë. Ajo që është argëtuese për një person, ndoshta përfshin 20 vrasje gjatë rrugës.”
Pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë dhe policisë për të kontrolluar portet, trafiku i kokainës vazhdon të rritet. Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, në vitin 2024 u sekuestruan afro 300 ton drogë – një rekord i ri vjetor.
“Në Evropë ka qytetarë të gatshëm të paguajnë çmime të larta për të konsumuar drogë. Dhe kjo drogë po na vret njerëzit tanë”, përfundon avokatja Monica Luzárraga, e cila dikur mbrojti një nga të bashkëpunëtorët e mafias shqiptare në gjykatë.
Mesazhi i Ekuadorit për Evropën është i qartë: ndalimi i kësaj tragjedie nuk fillon në portet e Amerikës së Jugut, por në rrugët dhe klubet e Evropës ku kërkesa për kokainë po përhap gjak e dhimbje mijëra kilometra larg./ BBC
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
Teatri që fsheh prapaskenën
Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

