83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës

Reagimi i Edi Ramës pas kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku nuk është thjesht një status në “X”. Është një rreze-X i mënyrës si ai e kupton pushtetin, drejtësinë dhe raportin e tij me përgjegjësinë. Dhe ajo që shfaqet në këtë radiografi politike është shumë e thjeshtë. Një kryeministër që fshihet pas 83 mandateve për të shmangur pyetjen themelore, a vlen ligji njësoj për të gjithë apo jo?
Rama nis duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut, si një vendim që damkoska SPAK-un si “antikueshtetues dhe antidemokratik”. Por Gjykata Kushtetuese nuk ka gjykuar fajësinë apo pafajësinë e Ballukut, ka gjykuar procedurën e pezullimit nga detyra. Ta përdorësh këtë vendim si shkop për t’i rënë në kokë SPAK-ut, është një mënyrë shumë e hollë për të delegjitimuar hetimin.
Në vijim, kryeministri flet për “arrestet pa gjyq”, për një “modë të vrazhdë” paraburgimesh, duke nxjerrë nga xhepi madje edhe shqetësimet e Këshillit të Europës. Retorikë e njohur për dikë që ka dy standarde, pasi kur drejtësia prek të tjerët, është reformë historike; kur afrohet te zyrtarët e tu më të pushtetshëm, bëhet “modë e rrezikshme” dhe kërcënim për demokracinë. Problemi është se masat e sigurimit (burg, arrest shtëpie, etj.) nuk i vendos SPAK-u, por gjykata. SPAK kërkon, gjykata vendos. T’i quash “arrest pa gjyq” do të thotë të mos pranosh vetë logjikën e procedurës penale në një shtet të së drejtës, e në veçanti kur deri para se SPAK të nxirrte cullak “kampionët” e tij të shumtë, tashmë të pandehur, shfaqej si dashnori i tij.
Më pas vjen fjalia kyçe: “Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate…”. Ku numri i mandateve përdoret si argument politik për të vlerësuar një kërkesë penale. Sikur shumica në Kuvend të ishte një trup gjykues që peshon provat, dëshmitë, ekspertizat.
Parlamenti në këtë rast nuk është gjykatë. Nuk i lexon dosjet, nuk merr në pyetje dëshmitarët, nuk bën hetim penal. Ai thjesht vendos: a mundet një anëtare e qeverisë të trajtohet si çdo qytetar tjetër para ligjit, apo jo. Çdo fjalë për “qëndrim politik” mbi kërkesën e SPAK-ut është, në fakt, pranim se Rama po i jep vetes rolin e avokatit të pushtetit, jo të gardianit të shtetit.
Rama flet për “standardet demokratike europiane” dhe numrin e të paraburgosurve. Por në asnjë vend serioz europian nuk do të ishte normale që kryeministri të sugjeronte publikisht se një prokuror “nuk duhet” të kërkojë masa sigurie për një anëtar të qeverisë, përndryshe po rrezikon demokracinë me parimin bazë të saj, ndarjen e pushteteve. Përkundrazi, në çdo demokraci të pjekur, momenti kur drejtësia troket në zyrat e pushtetit është testi më i madh i standardeve demokratike. Jo kur hetohen ish-zyrtarët, por kur në lojë është pushteti aktual.
Në fund, beteja nuk është as e Ballukut, as e një prokurori të veçantë. Është betejë mes dy vizioneve për shtetin, në njërin, pushteti politik përdor parlamentin si mburojë për të penguar drejtësinë; në tjetrin, shumica parlamentare pranon se legjitimiteti i saj politik nuk mund të kthehet kurrë në imunitet penal për qeverinë. Sa më shumë Rama fshihet pas 83 mandateve, aq më e qartë bëhet se problemi i vërtetë sot nuk është ashpërsia e SPAK-ut, por lodhja, konsumimi dhe frika e një pushteti që nuk di më si të bashkëjetojë me llogaridhënien për korrupsionin në çdo zyrë të këtij pushteti.
Në këtë realitet, Rama ka vetëm dy përgjigje të mundshme për publikun: ose nuk dinte gjë për korrupsionin që po bënte vaki rreth tij, ose e dinte dhe e toleroi. Në të parin rast, është i paaftë për të mbrojtur interesin publik; në të dytin, është bashkëfajtor të paktën politikisht e moralisht. Në të dy rastet, përfundimi është i njëjtë, i papërshtatshëm për të qeverisur.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
