“Ju keni miq kryeministrat apo shqiptarët?”/ Gazetari i TetovaSot përballet me Ramën: Ti je skandaloz

22 November 2026, 12:11 / POLITIKË ALFA PRESS

“Ju keni miq kryeministrat apo shqiptarët?”/ Gazetari i

Një moment i tensionuar është regjistruar gjatë takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku u inaugurua sistemi i kontrollit kufitar me një ndalesë.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, gazetari i TetovaSot, Nevrij Ademi, i ka drejtuar Ramës një pyetje të drejtpërdrejtë, duke ngritur shqetësimin për mungesën e reagimeve të tij ndaj rasteve që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i konsiderojnë të montuara dhe padrejtësive ndaj tyre.

“Ju shpeshherë dini të bëheni shokë dhe miq me kryeministrat. E keni shumë mik Ali Ahmetin, shpeshherë e bëni mik edhe Mickoskin. Por nuk shoh se i bëni miq shqiptarët. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shumë raste të montuara, për të cilat ju kurrë nuk keni reaguar dhe asnjëherë nuk jeni shqetësuar për shqiptarët në vendin tonë. Ju keni miq kryeministrat, zoti Rama, apo do të bëni miq shqiptarët?”, iu drejtua gazetari kryeministrit shqiptar.

Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe se shqiptarët janë popullsi shtetformuese, duke nënvizuar se kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë për t'u përfaqësuar politikisht.

“RMV është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë për t'u përfaqësuar. Unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se çështjet e ngritura nga gazetari janë çështje që trajtohen nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi se shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike për t'i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha qëndrimet dhe opinionet e tyre.

Kryeministri shqiptar u ndal edhe te marrëdhëniet e tij me liderët politikë në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se nuk sheh asnjë problem në faktin që ka miqësi si me Mickoskin, ashtu edhe me Ali Ahmetin.

“Unë besoj se nuk është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Mickoskin, edhe Ali Ahmetin. Përkundrazi, është diçka pozitive. Dhe unë kam edhe miq të tjerë që ti mund të mos i dish fare, ose që ti mund të mendosh se nuk i kam miq. Por unë besoj që miqësitë në këtë marrëdhënie nuk duhet të jenë problem për asnjë njeri”, deklaroi Rama.

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes së gazetarit nëse do të zgjidhte mes kryeministrave dhe shqiptarëve, Rama u shpreh se një zgjedhje e tillë nuk ekziston për të.

“Nuk mendoj se kam ndonjë zgjedhje për të bërë mes kryeministrit apo shqiptarëve. Kjo më duket skandaloze si ide, jo më që të jetë pyetje”, tha ai.

Në vijim, Rama iu drejtua gazetarit me tone të ashpra, duke i thënë: “Ti je skandaloz!”, ndërsa komentoi edhe mënyrën se si ai kishte marrë fjalën dhe kishte parashtruar pyetjen.

“Fakti që ti e merr mikrofonin me zor, bërtet dhe ne të përgjigjemi me buzëqeshje, dhe ty nuk po të marrin në krahë të të çojnë në izolim, tregon që po jeton në një vend demokratik”, përfundoi Rama./ Alfapress.al

 

Po ndodh...