Mediat italiane "xhelozojnë" për kampionen e re të botës që garon për Shqipërinë

21 November 2026, 23:35 / SPORT ALFA PRESS

Mediat italiane "xhelozojnë" për kampionen e re të

 

Fitorja historike e Lara Colturit në Kupën e Botës në ski alpine ka marrë vëmendje të madhe në mediat italiane, të cilat kanë rezervuar vlerësime të shumta për skiatoren që përfaqëson Shqipërinë.

Pas triumfit në slalomin e Gurglit në Austri, ku la pas suedezet Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson, 20-vjeçarja është kthyer në një prej emrave kryesorë të ditës në shtypin sportiv italian.

Gazeta prestigjioze La Repubblica e ka cilësuar suksesin si fitoren e parë në karrierën e Colturit, duke theksuar se skiatorja nga Torino, e cila garon me ngjyrat e Shqipërisë, tashmë është ngjitur edhe në krye të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës.

 

Edhe Sky Sport Italia i ka kushtuar hapësirë të veçantë triumfit, duke vënë në pah se Colturi i dha Shqipërisë fitoren e parë në historinë e Kupës së Botës në ski alpine. Media italiane thekson se ajo e menaxhoi me qetësi garën e parë dhe më pas bëri diferencën në zbritjen e dytë. 

Ndërkohë, agjencia ANSA e cilëson fitoren si një triumf historik, duke nënvizuar se skiatorja me origjinë italiane, që garon për Shqipërinë, arriti suksesin e parë pas nëntë podiumeve të mëparshme. 

Por suksesi nuk është vetëm një fitore personale. Me 100 pikët e marra në Austri, Lara Colturi është ngjitur në vendin e parë të renditjes së përgjithshme me 260 pikë, përpara gjermanes Emma Aicher, që ka 192 pikë.

Në moshën 20-vjeçare, pas nëntë podiumeve dhe dy vendeve të dyta në garat e para të këtij sezoni, Colturi më në fund ka prekur majën e podiumit.

Një triumf që po bën jehonë edhe në vendin ku ajo u lind dhe u rrit, por që tashmë festohet me flamurin kuqezi. Lara Colturi po e shkruan historinë e Shqipërisë në një sport ku deri më sot vendi ynë nuk kishte regjistruar asnjë fitore në Kupën e Botës.

Po ndodh...