100 € në muaj për qytetar! Eurostat nxjerr Shqipërinë të fundit në Europë për mbrojtjen sociale

21 November 2026, 18:30 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

 

Ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë ligjet e buxhetit prezantohen rregullisht me superlativat e “buxheti më të madh në histori” apo “buxheti më social”, të dhënat e përditësuara të Eurostat tregojnë një realitet krejt tjetër.

Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e fundit në Europë për shpenzimet e mbrojtjes sociale, me vetëm 1,203 euro për banor në vit. Ky tregues mat transfertat e drejtpërdrejta në para ose në shërbime që qeveria u jep familjeve dhe individëve për t’i mbrojtur nga rreziqet kryesore sociale.

Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë dhe të invaliditetit, kujdesi shëndetësor, mbështetja për familjen dhe fëmijët, pagesat e papunësisë, subvencionet për strehimin dhe ndihma ekonomike për shtresat në nevojë.Kjo shifër nuk është thjesht më e ulëta në Europë, por nxjerr në pah një hendek të thellë si me Bashkimin Europian, ashtu edhe me fqinjët e Ballkanit Perëndimor.

10 herë më pak se BE

Në të njëjtën periudhë, mesatarja e 27 vendeve të BE-së arriti në 10,974 euro për banor. Kjo do të thotë se qytetari mesatar europian përfiton 9.1 herë më shumë mbështetje sociale nga shteti sesa një qytetar shqiptar, i cili merr sa 11% e mesatares së unionit.

Vetëm 100 euro në muaj për qytetar/ Eurostat nxjerr

Edhe Bullgaria, vendi me shpenzimet më të ulëta brenda BE-së, alokon 3,218.97 euro për banor — gati 2.7 herë më shumë se Shqipëria — ndërsa në krye të listës qëndrojnë Luksemburgu me 28,791 euro dhe Zvicra me 26,344 euro.

Të fundit në rajon

Tabloja nuk ndryshon as kur krahasimi kufizohet vetëm me vendet e rajonit, të cilat kanë nivel të ngjashëm zhvillimi ekonomik. Mali i Zi shpenzon 2,344 euro për frymë për mbrojtjen sociale, pra gati dyfishin e Shqipërisë, i ndjekur nga Serbia me 2,302 euro dhe Bosnje-Hercegovina me 1,635.

Këto statistika krijojnë një kontrast të fortë me narrativën e qeverisë shqiptare. Në debatet parlamentare për buxhetet e fundit — përfshirë buxhetin e vitit 2027 që u prezantua si buxheti rekord prej rreth 10 miliardë eurosh — ekzekutivi e ka cilësuar paketën financiare si “buxhetin më të majtë ndonjëherë”, duke premtuar rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe mbrojtje të shtuar për pensionistët e shtresat në nevojë.

Shqipëria alokon për përfitimet sociale vetëm 11.45% të PBB-së, kundrejt mesatares prej 27.29% në BE dhe rreth 18%–20% në vendet fqinje.

Në fund, shifrat e Eurostat-it dëshmojnë se rritja nominale e buxheteve nga viti në vit nuk po përkthehet në afrim real me standardet sociale të rajonit dhe Europës. Për sa kohë që shteti shpenzon rreth 100 euro në muaj (1,203 euro në vit) për frymë për pensione, shëndetësi, papunësi dhe ndihmë ekonomike të marra së bashku, etiketimi i buxheteve si “historike” dhe “sociale” mbetet më shumë një slogan politik sesa një realitet i prekshëm për qytetarët./kapitali.al

Po ndodh...