Studentët me organizim të ri, zgjedhin delegatët! Deklarata: S’ka dialog me Ramën, të bashkohemi

21 November 2026, 22:15 / POLITIKË ALFA PRESS

Një grup studentësh njoftuan sot krijimin e një organizimi të ri studentor, të pagëzuar si “Lëvizja Studentore Kombëtare”, e cila siç deklarojnë, është vijimësi e revoltës qytetare, por jo zëvendësim i saj.

Ata thonë se kanë  zgjedhur përfaqësues në çdo fakultet, dhe se kësaj lëvizje i janë bashkuar deri tani mbi 2000 të rinj. Në një deklaratë publike ata shprehen se organizmi nuk ka kryetar dhe se nuk flasin në emër të studentëve por kërkojnë bashkimin e tyre.

“Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju. Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni. Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni hasur, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen, jo vetëm tuajën, por të gjithë Shqipërisë. Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në takimin e zhvilluar sot, ata kanë diskutuar mbi strukturimin e lëvizjes dhe hapat që do të ndërmarrin në vijim. Studentët theksojnë se bëhet fjalë për një organizim të pavarur, që nuk synon të shndërrohet në parti politike.

Kërkesat konkrete thonë se do t’i bëjnë të ditura në ditët në vijim. Ata thonë se ky angazhim do t’i shërbejë orientimit të mëtejshëm të protestës.

“Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona. Angazhimi ynë në këtë debat buron nga e drejta dhe përgjegjësia për të ndikuar në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e brezit tonë, pa zëvendësuar kërkesat e tjera të protestës qytetare. Këto propozime nuk pretendojnë të jenë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që studentët po zhvillojnë në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë. Ky angazhim shoqëron protestat tona dhe do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm të lëvizjes studentore dhe qytetare”, vijon deklarata.

Përballë grupit të të rinjve që një ditë më parë u përfshi në një dialog me kryeministrin Edi Rama, qëndrimi i tyre është kategoriskisht refuzues ndaj kontakteve me kreun e qeverisë.

“Organizimi ynë është jo përfundimtar por i pavarur. Kjo është vendimarrja e një grupi të studentëve, përfaqësojmë një pjesë të atyre që janë angazhuar. Nuk po bëjmë parti politike por organizim studentor. Nuk marrim pjesë në asnjë dialog me Ramën. Kjo lëvizje nuk pranon të ulet në tryezë me kryehajdutin. Nuk e dijmë kush mori pjesë në takim me Ramën. Nuk kemi pasur ftesë”, shprehen ata.

kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Po ndodh...