Sulmohet me dron anija ruse në Gjirin e Finlandës, shpërthen në flakë dhe përfundon në ujërat finlandeze

21 November 2026, 20:43 / BOTA ALFA PRESS
Sulmohet me dron anija ruse në Gjirin e Finlandës, shpërthen

 

Një anije mallrash ruse, e cila po transportonte furnizime drejt enklavës së Kaliningradit, është sulmuar me dron në Gjirin e Finlandës. Anija “Sparta II” është përfshirë nga flakët pas sulmit të ndodhur të shtunën, ndërsa më pas ka devijuar dhe ka përfunduar në ujërat territoriale të Finlandës.

Autoritetet finlandeze bëjnë me dije se sulmi është kryer në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, në perëndim të ishullit Suursaari, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake, Ukraina dyshohet se qëndron pas goditjes.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo reagoi për incidentin, duke deklaruar se lufta po përhapet gjithnjë e më pranë vendit të tij. “Lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme”, u shpreh ai, duke shtuar se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit.

 

Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, deklaroi se sipas informacioneve paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë, ndërsa siguroi se nuk ka kërcënim për furnizimet drejt enklavës ruse.

Anija “Sparta II” është përfshirë në listat e sanksioneve të SHBA-ve që prej vitit 2022 dhe të Ukrainës këtë vit. Ajo operohet nga një kompani ruse, e cila sipas të dhënave në faqen e saj zyrtare, është krijuar në strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në vitin 2011 dhe që prej vitit 2015 vepron në kompleksin e ndërtimit ushtarak.

Pas sulmit, autoritetet finlandeze vendosën përkohësisht kufizime në hapësirën ajrore dhe detare të zonës. Ndërkohë, Ministria finlandeze e Mbrojtjes njoftoi se një helikopter rus dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore të vendit, një incident që mund të ketë qenë i lidhur me operacionet e shpëtimit ose gjurmimit të anijes.

Një anije ruse e shpëtimit iu afrua “Sparta II”, por ekuipazhi njoftoi se nuk kishte nevojë për evakuim. Sipas guvernatorit të Kaliningradit, pjesëtarët e ekuipazhit po kryejnë punën e nevojshme dhe synojnë të vijojnë udhëtimin.

Roja Bregdetare finlandeze konfirmoi se ekuipazhi nuk është detyruar të braktisë anijen, nuk është konstatuar ndotje e mjedisit dhe nuk ka rrezik për trafikun detar apo njerëzit.

Kaliningradi është një enklavë ruse në Detin Baltik, e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë.

 

Po ndodh...