Nisin hetimet për vetëvrasjen e ish kreut të policisë italiane, pranë trupit iu gjet pistoleta! Gjendet dhe letra për familjarët

21 November 2026, 20:27 / BOTA ALFA PRESS
Nisin hetimet për vetëvrasjen e ish kreut të policisë

Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro i jep fund jetës, u gjet i vdekur në vilën e tij pas hetimeve për masakrën e Via D'Amelio

Ish kreu i policisw italiane, Gianni De Gennaro i ka dhënë fund jetës me armë zjarri. I tronditur nga hetimi i Prokurorisë së Kaltanisetës, ish-kreu i Policisë italiane ishte nisur i vetëm drejt shtëpisë së tij në fshat, në Montiano, në provincën e Grossetos, ku u gjet i pajetë këtë të shtunë, më 21 nëntor.

Familjarët u alarmuan pasi nuk arrinin ta kontaktonin në telefon dhe njoftuan policinë.

Pistoleta me të cilën dyshohet se kreu aktin u gjet pranë trupit të De Gennaros. Në banesë janë gjetur edhe letra lamtumire drejtuar familjarëve, si dhe dokumente që lidhen me procesin gjyqësor. Prokuroria e Grossetos ka hapur një dosje hetimore për veprën penale të nxitjes së vetëvrasjes.

Që prej kontrollit të banesës së tij në kuadër të hetimeve, De Gennaro, 78 vjeç, ish-kreu i Policisë italiane, kishte ndërprerë kontaktet me të gjithë. Gjatë paradites, familjarët e tij shkuan në vilën në rajonin e Maremës, ku u gjet trupi.

Më 1 dhjetor, Gjykata pritej të shqyrtonte kërkesën për arrestimin e tij. Kërkesa ishte rrëzuar më parë nga gjyqtari i hetimeve paraprake (GIP), por prokurorët e Kaltanisetës, nën drejtimin e prokurorit De Luca, kishin vendosur të apelonin dhe të kërkonin sërish arrestimin e tij.

Kush ishte Gianni De Gennaro

I lindur në Reggio Calabria 78 vite më parë, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, Gianni De Gennaro u diplomua në Universitetin La Sapienza dhe në vitin 1973 nisi karrierën në polici, fillimisht si funksionar.

Shtatë vite më vonë u promovua për merita të jashtëzakonshme. Ai ndërhyri në ambasadën belge në Romë, ku 30 persona mbaheshin peng nga një person me probleme mendore. Pas një shkëmbimi zjarri me pengmarrësin, i cili u neutralizua, De Gennaro arriti të lironte të gjithë pengjet.

Si drejtues i sektorit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Romës, nisi të merrej me krimin e organizuar. Pikërisht një hetim për trafikun e drogës, i zhvilluar në kryeqytetin italian, shënoi edhe fillimin e lidhjes së tij me gjyqtarin hetimor Giovanni Falcone.

Në fund të vitit 1991 u emërua zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Hetimeve Antimafia (DIA), ndërsa në vitin 1993 mori drejtimin e këtij institucioni. Një vit më vonë u bë zëvendësshef i Policisë dhe, më 26 maj 2000, u emërua në krye të Policisë italiane, gjatë qeverisë së Giuliano Amatos. Ai e mbajti këtë detyrë për shtatë vite.

De Gennaro i mbijetoi krizës së shkaktuar nga menaxhimi i samitit të G8-s në Xhenova, në vitin 2001, ku policia ndërmori një ndërhyrje të dhunshme në shkollën Diaz.

Karriera e tij në polici përfundoi në vitin 2007, por jo angazhimi në administratën shtetërore. Fillimisht u emërua shef i kabinetit të ministrit të Brendshëm, Giuliano Amato, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2011 drejtoi DIS-in, strukturën që koordinon shërbimet sekrete italiane.

Nga viti 2013 deri në vitin 2020 ishte president i kompanisë Leonardo, ish-Finmeccanica. Më pas kaloi në sektorin privat, ku drejtoi Banca Popolare di Bari nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Në vijim punoi për Eurolink, kompaninë e kontrolluar nga Webuild, kontraktori kryesor për projektimin dhe ndërtimin e urës mbi Ngushticën e Mesinës. Paralelisht, mbajti për më shumë se një dekadë postin e presidentit të Qendrës së Studimeve Amerikane.

Reagimet për vdekjen e De Gennaros

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh se ishte "thellësisht e tronditur" nga lajmi i vdekjes së tij.

"Shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim me vëllain e tij, Komandantin e Përgjithshëm të Gardës së Financës, si dhe me të gjithë familjarët në këtë moment dhimbjeje", deklaroi Meloni.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se vdekja e De Gennaros trondit dhe lë të gjithë pa fjalë.

"Vajtojmë humbjen e një funksionari të madh të shtetit, i cili, në Ministrinë e Brendshme dhe jo vetëm, i shërbeu vendit në detyra të rëndësishme, në momente historike jashtëzakonisht të vështira", u shpreh ai.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, e cilësoi De Gennaron një nga viktimat e "proceseve që janë zhvilluar jashtë sallave të gjyqit".

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve, Matteo Salvini, deklaroi se ish-kreu i Policisë ishte "viktimë e një masakre që nuk e meritonte", shkruan corriere della sera.

Po ndodh...