Rutte paralajmëron Moskën nga Varshava: NATO do të mbrojë çdo centimetër të Polonisë, askush nuk mundet…

21 November 2026, 21:30 / BOTA ALFA PRESS
Rutte paralajmëron Moskën nga Varshava: NATO do të mbrojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një mesazh të fortë nga Varshava, duke paralajmëruar se Aleanca do të mbrojë territorin polak nga çdo kërcënim, pas hyrjes së objekteve të dyshuara ruse në hapësirën ajrore të vendit.

“Ju garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte gjatë vizitës së tij në kryeqytetin polak, një ditë pasi autoritetet njoftuan se tri objekte të dyshuara ruse, mes tyre dy raketa dhe një dron, kishin shkelur hapësirën ajrore të Polonisë.

Kreu i NATO-s theksoi se Aleanca po merr të gjitha masat për të identifikuar rreziqet dhe për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor. Sipas tij, komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, gjenerali Alexus Grynkeuich, do të vlerësojë kërcënimet e mundshme dhe do të përshtatë kapacitetet ushtarake në përputhje me situatën.

Ngjarja ka shtuar shqetësimet për përhapjen e tensioneve mes Rusisë dhe NATO-s, në një kohë kur gjatë luftës në Ukrainë janë regjistruar disa raste të hyrjes së dronëve në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të Aleancës.

 

Shkelja e raportuar ndodhi të premten, ndërsa Polonia po zhvillonte stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e vendeve të përfshira në të ashtuquajturin “Koalicioni i Vullnetit”, që mbështet Ukrainën. Zyrtarët polakë kanë ngritur dyshime se koha e këtij incidenti nuk ishte e rastësishme.

Ndërkohë, të hënën në Bruksel pritet të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, për të shqyrtuar shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe reagimin e Aleancës.

Incidenti ka rikthyer në vëmendje rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit përtej kufijve të Ukrainës, ndërsa NATO konfirmon se mbrojtja e territorit të vendeve anëtare mbetet një vijë e panegociueshme.

 

Po ndodh...