Arrestimi i “El Chapo Isidro” ‘ndez’ ferrin në Meksikë, 11 të vrarë pas përplasjes së përgjakshme mes kartelit dhe ushtrisë

21 November 2026, 23:13 / BOTA ALFA PRESS
Arrestimi i “El Chapo Isidro” ‘ndez’ ferrin në

Kapja e një prej bosëve më të kërkuar të drogës në botë ka shkaktuar një valë të dhunshme përplasjesh në Meksikë. Të paktën 11 persona kanë humbur jetën, mes tyre shtatë persona të dyshuar si pjesëtarë të kartelit dhe katër ushtarë, pasi forcat meksikane arrestuan Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”.

Operacioni u zhvillua në shtetin e Sinaloas, ku gjatë natës së të premtes shpërthyen përleshje të ashpra me armë mes ushtrisë dhe grupeve të armatosura të kartelit. Situata u përshkallëzua me shpejtësi në qytetin Guasave, duke shkaktuar panik te banorët. Automjete dhe biznese u përfshinë nga flakët, ndërsa helikopterët ushtarakë dhe dronët qarkullonin mbi qytet.

Sipas Ministrisë meksikane të Mbrojtjes, bilanci i përplasjeve ishte 11 viktima. Shtatë prej tyre dyshohet se ishin pjesëtarë të grupeve kriminale, ndërsa katër të tjerët ishin ushtarë të forcave të armatosura.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena kaosi, me qytetarë që largohen me vrap nga të shtënat gjatë një ndeshjeje bejsbolli, automjete në flakë dhe helikopterë që qëllojnë drejt objektivave në tokë. Një banore dhe gazetare lokale, Alma Camacho, e përshkroi situatën si një përplasje që përfshiu zona të ndryshme të qytetit.

 

Autoritetet meksikane bënë të ditur se arrestimi u realizua përmes një operacioni të mbështetur te befasia dhe fshehtësia. Forcat e sigurisë rrethuan ndërtesën ku ndodhej i kërkuari, por gjatë ndërhyrjes u përballën me rezistencë të armatosur dhe sulme me armë zjarri e eksplozivë.

Pas arrestimit, Meza Flores u transportua me avion ushtarak drejt Mexico City, ku do të përballet me autoritetet e drejtësisë. Së bashku me të u ndaluan edhe shtatë persona të tjerë. Për shkak të përshkallëzimit të situatës, ushtrisë dhe forcave speciale të Gardës Kombëtare iu deshën disa orë për ta nxjerrë atë nga Guasave. Sipas një zyrtari federal, grupet kriminale kishin ngritur të paktën 10 postblloqe në rrugët e qytetit, duke përdorur automjete të djegura për të penguar lëvizjen e forcave të sigurisë.

Kush është “El Chapo Isidro”?

Fausto Isidro Meza Flores konsiderohet një prej figurave të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ai arriti të ngjitej në hierarkinë e kartelit Beltrán Leyva, përpara se të krijonte organizatën e tij kriminale, të njohur si Meza-Flores Transnational Criminal Organization.

Ai ishte shpallur një prej 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja, ndërsa autoritetet amerikane kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që do të çonte në arrestimin e tij. Meza Flores kërkohej për trafikimin e narkotikëve drejt Shteteve të Bashkuara dhe posedimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.

Qeveria meksikane konfirmoi se informacionet e inteligjencës të siguruara nga administrata e presidentit Donald Trump ndihmuan në lokalizimin dhe kapjen e tij. Megjithatë, nuk u publikuan detaje mbi mënyrën se si u koordinuan operacionet mes autoriteteve amerikane dhe atyre meksikane.

“El Chapo Isidro” ishte gjithashtu një aleat i rëndësishëm i fraksionit “Los Mayos”, pjesë e kartelit Sinaloa, i cili është shpallur organizatë e huaj terroriste nga administrata amerikane.

Arrestimi i tij shihet si një goditje për këtë organizatë kriminale, e cila prej kohësh është përfshirë në një luftë të brendshme me një fraksion rival për kontrollin e shtetit të Sinaloas.

Frika për përshkallëzim të mëtejshëm

Ndërsa autoritetet amerikane dhe meksikane e kanë cilësuar arrestimin si një sukses në luftën kundër krimit të organizuar, ekspertët paralajmërojnë se kapja e drejtuesve të lartë të karteleve mund të shkaktojë përplasje të reja dhe një tjetër cikël dhune.

Në rajonin e Sinaloas, ku grupet rivale po luftojnë për kontrollin e territorit, largimi nga skena i një prej figurave kryesore mund të krijojë një boshllëk pushteti dhe të nxisë përleshje të reja mes fraksioneve kriminale.

Presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj qeverisë meksikane për të goditur kartelet e drogës dhe për të intensifikuar luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

 

Po ndodh...