Çmimi i vajit të ullirit zbret në 350 lekë/litër, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë

22 November 2026, 19:36 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Çmimi i vajit të ullirit zbret në 350 lekë/litër,

Fermerët në shumë zona të vendit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e vajit të ullirit, pasi çmimet e ofruara nga grumbulluesit deri tani kanë zbritur në 300–350 lekë për litër, nën koston e prodhimit.

Çmimi i kërkuar nën koston e prodhimit dhe bllokimi i eksporteve po sjell që shumica e prodhimit të ri të vajit të ullirit të mbetet stok në shtëpitë e fermerëve, ndërsa rrezikohet edhe braktisja e ullishteve.

Monitor bisedoi me disa fermerë në zonën e Belshit, të cilët ngritën si shqetësim kryesor mungesën e tregut për shitjen e vajit të ullirit dhe rënien e fortë të çmimeve. Pavarësisht prodhimit të mbarë këtë sezon, fermerët pohuan se po përballen me vështirësi në gjetjen e blerësve, ndërsa çmimet e ofruara nga grumbulluesit janë shumë më të ulëta se kostot e prodhimit. Si rrjedhojë, një pjesë e vajit po mbetet stok në shtëpitë e fermerëve.

Fermerët kërkojnë të paktën ta tregtojnë vajin me 500 lekë për litër për të mbuluar kostot e prodhimit, përfshirë pagesat e vjelësve që variojnë nga 3,500, 4,500 deri në 5 mijë lekë dita, ndërsa në disa zona deri tani është mbledhur vetëm 20% e prodhimit.

Agron Qypi, i cili zotëron rreth 400 rrënjë ullinj pohoi se prodhimi për pemë është rritur nga 17 kg sezonin e kaluar në rreth 30 kg këtë vit, por shtimi i prodhimit nuk është shoqëruar me rritje të të ardhurave.

Sipas Qypit, edhe çmimi prej 500 lekësh për litër nuk mbulon shpenzimet për vjeljen, krasitjen dhe shërbimet e tjera në ullishte. Ai vlerëson se vaji duhet të shitet mbi 600 lekë për litër për të mbuluar kostot dhe për të siguruar fitim.

Shqetësimin e ndan edhe fermeri Bashkim Zenaj, i cili pohon se grumbulluesit po ofrojnë rreth 350 lekë për litër, çmim që e konsideron të paleverdishëm. “Këtë vit, prodhimi i vajit të ullirit është i mbarë, por mungon tregu i shitjes. Vaji po kërkohet me çmim 350 lekë për litër, dhe pritet të bjerë edhe më shumë. Çmimi i kërkuar është i paleverdishëm. Jemi të detyruar ta mbajmë vajin në shtëpi stok”, pohon ai.

Ndërsa Alket Peqini tregon se ende nuk ka shitur një pjesë të prodhimit të vitit të kaluar, me vlerë rreth 100 mijë lekë. Ai kërkon ndërhyrjen e shtetit për grumbullimin e vajit deri në stabilizimin e çmimeve, pasi nuk di si të përballojë prodhimin e ri.

“Në shtëpi kam ende të pashitur nga prodhimi i vjetshëm, vaj ulliri në vlerën e 100 mijë lekëve. Nuk di se çfarë do të bëj me prodhimin e ri të vajit të ullirit. Do ta hedh në kanal sepse nuk kam ku ta tregtoj me këtë çmim. Shteti duhet të na ndihmojë me grumbullimin e vajit deri sa çmimi të stabilizohet, ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera të Europës”, pohon ai.

Problemi lidhet edhe me bllokimin e eksporteve. Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues i vajit të ullirit në zonën e Belshit pohoi për Monitor se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj nga fermerët, për shkak të çmimeve të kërkuara dhe mungesës së mundësive të shitjes jashtë vendit. Sipas tij, grosistët italianë kërkojnë vajin rifuxho me çmime rreth 3.2–3.5 euro për litër, ndërsa kostot e prodhimit në Shqipëri mbeten të larta.

Jolla paralajmëron se situata mund të sjellë braktisjen e ullishteve, pasi fermerët rrezikojnë të heqin dorë nga shërbimet dhe mirëmbajtja e pemëve për shkak të mungesës së fitimit.

Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2025, u eksportua rreth 891 tonë vaj ulliri, nga 2,339 tonë në vitin 2024. Në sasi, eksportet ranë me rreth 62%. Edhe vlera e tyre u tkurr ndjeshëm, nga rreth 1.65 miliardë lekë në vitin 2024, në 492.4 milionë lekë në vitin 2025, ose rreth 70%.

Kërkohet ndërhyrja e qeverisë për grumbullim 

Përballë kësaj situate, fermerët kërkojnë mbështetjen e qeverisë për grumbullimin e prodhimit. Por zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, deklaroi se shteti shqiptar nuk mund të ndjekë modelin e Spanjës, ku një sasi e konsiderueshme e vajit të ullirit grumbullohet dhe mbahet deri në stabilizimin e çmimeve.

“Ne nuk mund të veprojmë si në Spanjë, ku një sasi e lartë e vajit grumbullohet deri në stabilizimin e çmimit. Kjo është e pamundur për shkak të garantimit të cilësisë, sipas standardeve”, u shpreh z. Guri. Deklarata u bë gjatë punimeve të Forumit të Katërt Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, ku zv.ministri foli për sfidat e përafrimit të bujqësisë shqiptare me kërkesat e Bashkimit Europian.

Propozimet e industrialistëve

Paralajmërimi për braktisjen e ullishtave deri në prerjen e drurëve për shkak të mungesës së tregut për shitjen e vajit të ullirit erdhi edhe prej industrialistëve të shoqatës “Albanian Food Industry” (AFI).

Nëpërmjet një deklarate për median, ata ngritën alarmin se rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit, do të sjellë shumë shpejt braktisjen masive të ullishtave nga fermerët, deri në paralajmërimet për prerjen e druve të ullirit.

Nisur nga situata, AFI propozoi ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave, për vlerësimin e situatës dhe marrjen e shtatë masave urgjente.

Ndër propozimet e menjëhershme që u kërkuan të ndërmerren ishte ngritja e një fondi të menjëhershëm për kryerjen falas të analizave të certifikimit të cilësisë së vajit për fermerët dhe ndalimin e importeve. Emergjenca për veprime nga AFI u argumentua edhe nga fakti se dy muajt e ardhshëm janë muajt në të cilët fermerët kryejnë shërbime ndaj kulturës së ullirit.

“Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre dy muajve do të sjellë një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat, për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin, i cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopol të importit për vajin e ullirit”, paralajmëruan industrialistët.

Rekomandimet e KASH për uljen e kostove

Përtej luhatjeve të çmimeve që mund të dekurajojnë investimet dhe të çojnë në braktisjen e ullishteve, shqetësim për fermerët është edhe kostoja e larta e prodhimit.

Ndërkohë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) propozon krijimin e njësive të përbashkëta të shërbimit për fermerët, të cilat do të ofronin mekanikë bujqësore dhe shërbime të specializuara për krasitjen, spërkatjen, mirëmbajtjen dhe vjeljen e ullinjve. Sipas kryetarit të KASH, Agim Rrapaj, ky model, i mbështetur nga subvencionet shtetërore dhe partneriteti me operatorët privatë, do të ndihmonte në uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2025 prodhimi i vajit të ullirit arriti në 32.3 mijë tonë, me rënie 9.2% krahasuar me vitin paraardhës. Edhe prodhimi i ullinjve ra me 2.2%, në 143.3 mijë tonë./ Monitor/ 

Po ndodh...