Dy standartet e ligjit/ Rikujtesë: Kush ishte Saimir Tahiri që u lirua sot nga burgu?

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është liruar sot nga burgu. Ai do të vazhdojë dënimin e mbetur në ‘arrest shtëpie.’
Arsyeja e lirimit të ish-ministrit janë dy ekspertizat mjeko-ligjore në të cilat thuhet se gruaja e Tahirit vuan nga probleme shëndetësore ndërsa ai duhet të kujdeset për fëmijët e mitur.
Gjithashtu në vendim shkruhej se situata në familjen e tij është e rënduar sipas avokatëve të Tahirit.
Po kush është Saimir Tahiri?
Tahiri ishte Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e kryeministrit Edi Rama nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Gjatë ushtrimit të detyrës si ministër Tahiri u akuza nga opozita si i lidhur me trafikantët e drogës dhe bëhej fjalëpër bandën e Habilaj që ishin kushërinjt e ish-ministrit.
Si nisën hetimet
Pikënisja filloi me arrestimin e Moisi Habilajt në Itali, një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitarë në Vlorë.
Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë, kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge.
Për të kryer këto hetime duket se Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Guardia di Finanza në Shqipëri. Të gjitha faktet e mbledhura ai ia kaloi eprorëve të tij.
Në mënyrë të pashpjeguar, Zagani u akuzua nga policia për dekonspirimin e aksioneve, duke pretenduar ndër të tjera se shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza ishin bërë në shkelje të ligjit.
Për këtë arsye ai u arrestua nga prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve ndaj tij.
Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane.
Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga Ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Saimir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e drogës.
Zagani akuzoi Tahirin se kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetjake, makinë tip Audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.
Pas këtyre akuzave Saimir Tahiri mohoi akuzat për lidhje me vëllezërit Habilaj, të hetuar për katër vite nga autoritetet italiane.
Megjithatë, shumë shpejt në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina Audi AA003GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të vetë Tahirit.
Në këto kushte, ish ministri pohoi atëherë se kishte kryer një ‘gabim’, duke u shitur atyre makinën, pasi ishte emëruar si ministër.
Ndërsa përsa i përket përgjimeve të bandës së Habilajve të kryera nga autoritetet italiane ata dhanë grimca nga jeta e trafikantëve, rreziqeve, ulje-ngritjeve të trafikut dhe keqpërdorimet e milionave të fituara brenda natës.
Ndërsa përsa i përket rolit të Tahirit, dokumentacioni italian e përmendi ish-ministrin e Brendshshëm si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve ne tre raste.
Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.
Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro.
Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit.
Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës.
Pas një sërë hetimesh ish ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua në 2019 nga GJKKO me pesë vite burg, e reduktuar kjo në tre vite e katër muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në dokument, gjykata arsyeton se përse ish-ministri u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre dhe jo për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
“Gjykata për Krime të Rënda zbardhi zyrtarisht vendimin për ish-ministrin Tahiri që është dënuar në 5 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 3 vite e 4 muaj e më pas u konvertua në shërbim prove. Sipas gjykatës ka prova që tregojnë një situatë marrëdhëniesh të qëndrueshme mes Tahirit dhe Moisi Habilaj.
Lidhja e qëndrueshme konfirmohet konkretisht jo vetëm me shitjen e automjetit ‘Audi’ por bëhet fjalë për shërbimet e vazhdueshme të kryera nga Artan dhe Moisi Habilaj, si automjeti ujor që u mor për riparim; përdorim i automjetit ‘Audi’ nga Tahiri dhe bashkëshortja e tij për disa raste edhe pse ishte shitur. Udhëtimi në të njëjtën kohë vajtje-ardhje në Itali i Moisi Habilajt dhe babait të ish-ministrit, Bashkim Tahiri që konfirmon se familja e Tahiri dhe familja Habilaj ka pasur kontakte të qëndrueshme.
Sipas Gjykatës ka pasur komunikime të shpeshta dhe të drejtpërdrejta telefonike të Moisi Habilaj me Eli Robon, një njeri i afërt i Tahirit që punonte drejtor në Ministrinë e Brendshme. Gjykata për Krime të Rënda thotë se mes Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj ka pasur marrëdhënie të qëndrueshme por se Tahiri nuk rezulton i përfshirë direkt në trafik droge. Por për shkak të shpërdorimit të detyrës ka krijuar situatë të tillë që grupi Habilaj të ishte i lirë për të trafikuar tonelata drogë drejt Italisë. Bëhet fjalë për 20 ton hashash. Tahiri ndryshe nga sa bisedohet mes anëtarëve të grupit kriminal nuk ka përfituar dhurata si pjesëtar i grupit kriminal. Ndërkohë Tahiri në deklaratat e tij ka mohuar se ka pasur njohje dhe kontakte të drejtpërdrejta me Habilajt”.
Pra edhe pse gjykata e ka faktuar se ish-ministri kishte lidhje me Habilajt sërish nuk u mor parasysh dhe e dënoi vetëm për shpërdorim detyre.
Por as kjo pjese e dënimit që i ka mbetur Tahiri nuk do i kryej në burg për shkak të vendimit të gjykatës e cila gjithmonë ka punuar me dy standarte, duke liruar të fortët dhe dënuar me vite persona të kapura me disa gram kanabis./Alfapress.al
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



