E pabesueshme! Pas tërmetit, familja qëndroi për tre vite në kontejnerë, në kushte të tmerrshme...

29 Nëntor 2024, 23:59 / AKTUALITET ALFA PRESS

E pabesueshme! Pas tërmetit, familja qëndroi për tre vite në

Hamidja sot është 61 vjeç, ka lindur në Pojan, në një fshat pranë Pezës. Ajo thotë kam lindur në Pajon, në dialektin e saj tiranas. U rrit në një familje me tetë fëmijë, me kushte të vështira. Të gjithë merreshin me punët e fshatit. Mbaroi arsimin e detyruar, dhe në moshën 22 vjeçare u martua me Zydiun. Ai ishte nga Kavaja, por motra e tij, ishte martuar në fshatin Pojan në Tiranë.

Familja e saj ndërtoi shtëpi të re, dhe  kështu rreth 4 dekada më parë, në shtëpitë e vjetra të lëna nga kunata, do të nisnin të jetonin Hamidja dhe  familja e saj. Nga martesa me Zydiun do të lindin, dy djem, Alfredi dhe Taulanti, sot 33 dhe 37 vjeç.

Hamidja merrej me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve, ndërsa burri i saj bënte dru në fshat. Kushtet ishin minimale por nuk mungonte dashuria dhe respekti në shtëpi.

Për vite me radhë familja Gjumsi jetonte në  kushte të vështira ekonomike. Edhe pas viteve 1990 kur u ndërrua sistemi,  të ardhurat e katër anëtarëve të familjes ishin vetëm çfarë mund të siguronin nga bujqësia e blegtoria.

Sikur të  mos mjaftonte varfëria në familjen Gjumsi në vitin 1997, Hamidja asokohe 37 vjeçe,  plagoset në  kraharor nga një plumb qorr, në oborrin e shtëpisë. Ishte plagë e rëndë, plumbi kishte hyrë e dalë katër herë në trupin e Hamides, dhe nëse do të kishte mbërritur në spital qoftë edhe  pesë minuta më vonë, do të kishte qenë fatale.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe 30 ditësh në spital Hamideja mbeti me krah gjysmë të paralizuar,  duke mbetur gjysmë invalide dhe e paaftë për punë. Ndërsa duhet të kujdesej për dy djemtë,  8 dhe 10 vjeç.

Varfëria thellohet edhe më shumë kur bashkëshorti i Hamides diagnostikohet me tumor. Për 7 vjet familja me ato pak mundësi kalon vuajtjet dhe ecejake nëpër spitale, qendra shëndetësore duke kërkuar shërim në mënyrë të dëshpëruar.

Në vitin 2012, Alfredi djali i madh i Hamides, martohet me Brunën, një vajzë  e thjeshtë dhe punëtore. Alfredi punëtor në ndërtim dhe bashkëshortja e tij në punishte mobilierie do të ishin të vetmit që do të ushqenin familjarët.

Të dy bashkë do ta ndihmonin Hamiden në çdo moment, me sëmundjet e saj shëndetësore, kur kreu ndërhyrje kirurgjikale dhe sa herë do të gjendej në vështirësi.

26 nëntor 2019, të gjithë janë në gjumë. Hamidja, Zyhdiu, djali i vogël Taulanti. Pranë shtëpisë banon djali, Alfredi, Bruna, vajza e vogël dy vjeçe.

Lëkundje, dridhje, toka duket se thërret, një erë e fortë sjell fërshëllimën e një katastrofe natyrore.

Intensiteti i lëkundjeve të tokës është i lartë, tunden muret, themelet, zhurma e erës dhe e tokës të rrit edhe me tepër ankthin.

Zyhdiu gjendet jashtë, ka dhimbje trupi nga sëmundja, edhe djali Taulanti del me shpejtësi nga dera.

Mbetet brenda Hamideja. Shtëpia e vjetër, e rrënuar duket se është palosur nga lëkundjet e tërmetit.

Vajza e vogël qan, nëna e mban në duar, e mbështjell me çfarë gjen. Burrë e grua, djali dhe babai të tërë janë jashtë, të tmerruar. Nëna ku është nëna?!

Hamideja nga pluhuri bie në tokë, me vështirësi merr frymë, duket se e ka humbur. I dhemb trupi, dora, por gjen fuqi, gjen forcë për tu ngritur e për të dalë jashtë.

Përqafohen të gjithë, janë në jetë, janë të gjallë… por pa shtëpi, pa strehë, pa asgjë. Ngelen të gjithë, gjashtë njerëz në mes të katër rrugëve, një fëmijë dy vjeçe…

Banorët e Pezës, edhe pse me disa familje të rrënuara nga tërmeti, gjejnë mundësinë për të ndërtuar një kontejnerë, në pak metra katrorë, me llamarina, kartona e gjithçka… kështu familja Gjumsi mund të strehohet. Kasollja e familjes Gjumsi ndodhet buzë lumit…

Qëndrojnë aty për tre vite me radhë në kontejnerë, në kushte të tmerrshme, por duke falënderuar Zotin që janë gjallë.

Zyhdiu, kryen tre operacione, kimioterapi, mes ilaçeve dhe vizitave, nuk mundi t’ia dilte… Dhe në vitin 2021 ndërron jetë…

Vizitat për ngushëllim i pritën aty.

Bruna nusja, mbetet shtatzënë me vajzën e dytë, kalon gjithë shtatzëninë në kontejnerë, vajzën pasi lind e presin në kontejnerë, dhe e rrisin aty…

Gjithmonë, ka pak frikë brenda secilit prej nesh…

Por kurajo është motori që të lejon të ecën përpara kurdoherë…

Nuk duhet humbur kurrë shpresa dhe zemra duhet mbajtur çelur për gëzime të tjera…/TCH

 

Po ndodh...