Historia e trishtë e 36-vjeçares, rrëfen takimin prekës me fëmijët në spital: Nuk mund të ngrihesha nga krevati

29 Nëntor 2024, 23:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Historia e trishtë e 36-vjeçares, rrëfen takimin prekës me

Donika Zagolli, sot 36 vjeç ka lindur në Librazhd. Kur mbushi 18, e prezantuan me Blearin 22 vjeçar që u bë bashkëshorti i saj. Donika shkoi nuse në fshatin Stravaj të Librazhdit dhe gjeti atje një familje të madhe.

Bashkë me bashëshortin, jetonte gjyshja e tij, dy prindërit dhe motra me të vëllanë. Iu desh të gjente gjithë kohën ekuilibrat për të mbajtur një marrëdhënie të lumtur.

Familjes së madhe 2 vite pas martese, iu shtua edhe pjesëtari më i vogël, djali i saj Igli, 1 vit e gjysmë Indriti dhe 3 vite më vonë vajza Irina.

Donika merrej me punët e fshatit kujdes për të mbjellat, për shtëpinë, e për fëmijët edhe pse për ta jo aq sa do të kishte dashur.

Kur djali i saj i madh bëri 5 vjeç, vëllai i bashkëshortit vendos ta merrte me vete në bjeshkë, aty ku do të mësonte që në moshë të vogël të punonte e të kalonte gjithë verën si çoban e larg familjes.

Donika ndërkohë donte t’i ofronte një tjetër jetë fëmijëve të saj, t’i kishte pranë vetes, t’i shkollonte. Ishte shumë herët për ta që të punonin, por në familje s’ishte ajo që vendoste, e as bashkëshorti I saj.

U rrit dhe djali I dytë dhe kur edhe ai mbushi 6 vjeç, e morën me vete në Bjeshkë. Qëndronin maleve, nga qeshori në shtator. Mezi flisnin një orë në ditë në telefon. Donikës I dhimbseshin, për të ishin shumë të vegjël që të punonin, por edhe I merrte malli shumë për ta.

Në shtëpi kishte vajzën e saj, e cila u llastua pak më shumë si e vetmja që kalonte më shumë kohë me prindërit.

Përditshmëria në familje ishte thuajse rutinë, derisa Bleari nisi të ankohej për dhimbje të forta koke. Nisën vizitat derisa zbuluan lajmin tronditës, se në kokën e tij ndodhej një tumor agresiv.

E dërguan për operacion drejt Turqisë, ku e shoqëroi babai i tij. Donika e shqetësuar qëndroi me fëmijët, e kryesisht me vajzën e vogël e cila kërkonte çdo ditë babain. Ishte munduar t’iu jepte sa më pak informacion, por fëmijët dëgjonin biseda në familje, njerëz që vinin për vizitë, dhe qanin të shqetësuar për të atin.

Pas disa kohësh qëndrim në spital me operacione dhe trajtime, mjekët e kthejnë Blearin në shtëpi, me lajmin e hidhur se nuk kishte më shërim.

Muajt e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh dhe amanetesh për fëmijët. Ata shihnin të atin të transformohej dita ditës, pyesnin Donikën se përse babi mezi fliste, përse nuk ngrihej nga krevati, dhe Donika nuk dinte çfarë përgjigje t’iu jepte.

Për t’i mbajtur larg asaj situate xhaxhai i tyre i merr djemtë në Bjeshkë, dhe u kthyen në natës ku fatkeqsisht 4 vite më parë babai i tyre ndërroi jetë. Ai ishte vetëm 36 vjeç, ndërsa Donika 32.

Djemtë u kthyen pas 2 ditësh në bjeshkë më bagëti, ndërsa vajza qëndroi me Donikën. Ishtë shumë e lidhur me babain dhe humbjen e tij e përjetoi shumë keq. Nisi të humbiste ndjenjat papritmas dhe Donika po shqetësohej shumë. Nga ana tjetër djemtë i kishte larg. Bisedon me vjehrrin një natë dhe i thotë që do donte që fëmijët të shkolloheshin, të kishin një jetë më të mirë, por ai i thotë se djemtë duhet të punojnë.

Donika merr vendimin se për të ardhmen e fëmijëve të saj, do të duhet të bënte diçka.

Lajmëron familjen e saj dhe vëllai pasi bisedon edhe njëherë me familjarët e bashkëshortit të Donikës, vendosin që do të bëjnë më të mirën për fëmijët.

Donika largohet pak muaj më vonë për të jetuar tek prindërit e saj në Librazhd.

Ata nuk kishin kushtet më të mira për t’i mbajtur. Jetonin me qira, babai i saj ishte i sëmurë, por këtë sakrificë do ta bënin për të ardhmen e fëmijëve. Ata ishin të lumtur, i pëlqeu ideja që do të shkonin në qytet. Nisën shkollën aty.

Ndërkohë Donika ndjente peshën që kishte rënduar prindërit. Më gjithë streset e përjetuara shkoi 45 kilogram.

Për të lehtësuar situatën nis të kërkojë punë, por në atë kohë babai i saj sëmuret rëndë dhe 1 vit nga jetesa së bashku ai ndërron jetë. Ishte një tjetër tronditje për fëmijët e saj. Ishin të vegjël e po përjetonin shumë dhimbje.

Në shtëpi mbeten më gjyshen por edhe ajo ishte e sëmurë.

Vuante nga diabeti, një trompozë e kishte lënë pjesërisht të paralizuar, kishin nisur t’i shfaqeshin problemet me dëgjimin. Donika kujdesej gjithë kohën për të.

Ishte shtator i vitit 2023, ku Donika në kohë dreke, pasi fëmijët ishin në gjumë, del pranë shtëpisë për të biseduar me disa mikesha.

Ishte një ditë që kishin nisur vetëm të qeshnin me njëra tjetrën, nuk di pse i kishte kapur ai humor. Në një moment vajza zgjohet, del në dritare dhe i thërret mamit që të vijë në shtëpi. Donika kthen kokën, ngrihet, i thotë ja erdha dhe teksa çohet, bie në tokë pa ndjenja.

Vajza shtangu ne dritare, të gjithë u mblodhën rreth Donikës e cila nuk përmendjen. Pavarësisht përpjekjeve, britmave të fëmijëve, një turme njerëzish që e rrethuan, Donika qëndronte me sytë e mbyllur pa asnjë reagim.

Nuk kujton asgjë, mban mend që u zgjua pas disa orësh në spital. Një venë i kishte shpërthyer në kokë dhe kërkohej ndërhyrje e menjëhershme.

Fëmijët erdhën për ta parë, pak para operacionit. Edhe pse nuk duhej të ngrihej, Donika doli pak në dritare, me sforco, vetëm që ata ta shikonin e të besonin që ishte mirë.

Nuk do ti harrojë kurrë fytyrat e tyre të trishtuara.

Teksa ajo u operua dhe rikuperohej, në anën tjetër fëmijët vuanin frikën se mos humbnin dhe mamanë. Ata po rriteshin shpejt, kishin mësuar të gatuanin, të kujdeseshin për gjyshen, t’i bënin insulinën.

3 muaj më pas Donika kthehet në shtëpi. Por gjërat ndryshuan shumë. Ajo nuk mund të kujdesej njësoj për ta, dhe për më tepër iu ngarkoi fëmijëve edhe kujdesin për gjyshen e sëmurë.

Djali 15 vjeç nisi punë si kamarier, vetëm që të ndihmonte sado pak familjen.

Ata kanë ëndrra të mëdha, duan të bëhen aktor, futbollist, balerinë, por sa të largëta duken këto ëndrra në kushtet ku hallet janë më të mëdha. Fëmijët shqetësohen për ushqimin, për shëndetin e nënës, për lajmërimet nga pronaret e shtëpive që do duhet të lirojnë shtëpinë e të kërkojnë një tjetër.

Donika ka vetëm një ëndërr, që fëmijët e saj t’i shohë një ditë të qetë e të lumtur, e t’u sigurojë jetën që ata meritojnë.

Jeta e tyre ka ndryshuar kaq shumë në kaq pak kohë. Donika risjell në mëndje ditën që humbi ndjenjat.

Teksa për një orë nuk ka reaguar, Donikës i kujtohet një ngjarje që nuk di a duhet ta quajë ëndërr.

Gjatë kohës që ambulance e transportonte për në Tiranë, Donika kujton se gjatë atij udhëtimi ka takuar të atin bashkë me bashkëshortin. Thotë se ishte duke ecur në fusha të bukura me lule, ndihej e qetë, e kishte marr malli shumë edhe për të shoqin.

I përqafoi, i kapi dorën dhe nisi të ikte bashkë me të. Por babai e thirri, i tha: Po fëmijët? Dhe Donika u kthye sërish. Hapi sytë dhe u kthye për ta… Sepse në fund përveçse bijë dhe  bashkëshorte, ajo ishte NËNË./TCH

 

Po ndodh...