E përbashkëta me Martinajn/ Kush është Rrumi i Shijakut? Arrestimi i krahut të tij të djathtë e sjell dhe njëherë në vëmëndje

16 Prill 2024, 14:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

E përbashkëta me Martinajn/ Kush është Rrumi i Shijakut?

Ditën e sotme forcat blu vendos në pranga krahun e djathtë të fortit ‘Rrumi i Shijakut'', Agron Bjedollin i shpallur në kërkim.

Ndaj tij u caktua masa e sigurisë arrest në burg për heqjen  “heqje paligjshme të lirisë (pengmarrje)” në bashkëpunim me Rrumin, të dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj në tetor 2022.

Por kush është Rrumi i Shijakut që u soll dhe njëherë në vëmëndje pas arrestimit të krahut të tij të djathtë?

Ai njihet si Aleksandër Laho.

Në 2019 ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull gjatë një atentati që iu bë teksa ishte në makinë me ish-prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja.

I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, Aleksandër Laho, ishte mik i prokurorit të Durrësit.

Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa Policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë.

Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës.

10 shtator 2016 – Dhunohet biznesmeni libanez, Faadi Mitri

Emri i Pëllumb Muharremit, në çështjen e tokave në Lalz ka dalë prej shumë vitesh, ndërkohë që kulmoi në kohën kur një investitor i huaj u dhunua barbarisht në aksin Kashar-Rinas.

Biznesmeni libanez, Faadi Mitri dhunohet në rrugën e Rinasit, pasi më parë dy persona, që policia nuk i identifikoi dot përplasën makinën e tyre, tip “Volksëagen Tuareg” me mjetin “Mitsubishi” me të cilën Mitri po udhëtonte familjarisht.

Biznesmeni i masakruar nga katër personi, dëshmoi duke e nxjerrë emrin e djalit nga Shijaku, por prokuroria dhe as policia nuk e vunë nën akuza. Më pas historia e tokave të bregdetit të bukur të Lalzit vijoi me episode tronditëse, për vite me radhë, teksa një banor, i cili pretendonte se po i merrej prona vijonte i vetëm betejën gjyqësore për ta shpëtuar “gjënë” e tij.

Në 2022 SPAK lëshon një urdhër arrest për Rrumin e Shijakut duke pretenduar që ka një provë në dorë kundër këtij personi, i cili ka mundur të rrëmbejë qindra mijëra metra tokë në Lalzin e shumëdëshiruar nga të gjithë të pushtetshmit në vend.

8 maj 2018 – Grabitet posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit

Dy persona të paidentifikuar sulmojnë dhe marrin një çantë me “dokumente me rëndësi” nga postieri i Postës së Durrësit. Ngjarja ndodhi pranë Zyrës Qendrore të Postës, pak pasi postieri ka dalë nga godina. Grabitësit kanë synuar dhe ja kanë dalë mbanë që të marrin materialet që ai kishte tërhequr për llogari të organit të akuzës.

Edhe sot e kësaj dite është e paqartë se çfarë përmbanin këto dokumente, por praktika sugjeron se përgjithësisht materialet sekrete prokurorive të rretheve i shkojnë me postë, ose nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ose transkriptime të përgjimeve nga Prokuroria e Përgjithshme. Në një pjesë të mediave u hamendësia se materialet e grabitura lidheshin me hetimet për pronat në Gjirin e Lalëzit.

24 maj 2018 – Grabiten dosje nga zyrat e Prokurorisë së Durrësit

Pa u mbushur një muaj nga grabitja e postierit, persona të maskuar dhe ende të paidentifikuar futen në ambientet e prokurorisë dhe largohen prej andej me dokumente nga dosjet hetimore që lidhen me çështjen e pronave, po në Gjirin e Lalëzit.

Në shënjestër të grabitësve ka qenë zyra e Prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu. Ata kanë marrë dokumente me rëndësi, dosje origjinale hetimore si dhe kompjuterin e vetë prokurorit dhe të oficerit të Policisë Gjyqësore. Prokurori Shehu po hetonte çështjen e abuzimit të pronave në Ishëm, që përfshin edhe Gjirin e Lalëzit.

Mënyra e grabitjes së dokumentacionit sugjeron se autorët ishin të mirëinformuar, pasi veç dokumentacionit kanë shkatërruar edhe serverin e kamerave të sigurisë duke humbur gjurmët, ndërsa një variant që qarkulloi është se ata janë futur në godinë duke përdorur kartat e punonjësve, pa qenë nevoja për të thyer ndonjë derë.

Klodiana Lala, është shprehur në një intervistë televizive se biznesmeni dhe i shumëkërkuari i SPAK Ervis Martinaj, kishte përplasje me biznesmenë të fuqishëm në vend, veç përplasjeve me elementë të grupeve kriminale.

“Janë dhe biznesmenë të fuqishëm të ndërtimit që Martinaj kishte përplasje. Është dhe një biznesmen që po ndërton në Gjirin e Lalzit. Ata i kanë marrë para dhe nuk kanë pasur mundësi t’i kthenin mbrapsht. Ai (Martinaj) ka kërkuar të marrë vila mbrapsht”, është shprehur Lala.

Gazetarja ka thënë  kohë më parë e ka takuar Ervis Martinajn nën shoqërinë e një ish-deputeti, por nuk e tregoi emrin e tij.

“Ai kishte lidhje shumë të forta dhe ka mundësi dhe potencial për të inskenuar ngjarjen. Por duke para numrin e madh të kundërshtarëve, që nuk janë njerëz dosido, ka mundësi që njerëz që janë në kërkim të rrëmbehen dhe të vriten”, u shpreh gazetarja.

E përbashkëtat e Ervis Martinaj dhe 'Rrumit të Shijakut'

Vis Martinaj i quajtur 'Mbreti i Llotove' tashmë është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij. 

Fati i bizneseve të tij nuk dihet ende kujt do i kalojnë edhe pse ai ishte i rrethuar me shumë armiq, policia ende nuk ka një njoftim zyrtar se cfarë ka ndodhur me biznesmenin Martinaj. 

Aleksandër Laho i njohur ndryshe si 'Rrumi i Shijakut' njihet si personi që ka grabitur pronat e bregdetit. Të përbashkëtat e Rrumit me Martinajn janë bizneset, pronat, truproja, miq të politikanëve dhe armiq shumë që kërkojnë kokën e tyre si triumf për 'mbretërit e ri' që kërkojnë të marrin dinastitë e tyre.

 

Po ndodh...

ide