Skema e sofistikuar e pastrimit të parave mes Gjergj Lucës dhe Pëllumb Gjokës: Çfarë zbulon ‘Black Docks’?

4 Prill 2026, 15:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

Skema e sofistikuar e pastrimit të parave mes Gjergj Lucës dhe

Një dokumentar investigativ hedh dritë mbi një nga lidhjet më pak të trajtuara të krimit të organizuar në Shqipëri: marrëdhënien mes Gjergj Lucës dhe Pëllumb Gjokës, shkruan Pamfleti.

Përmes dokumenteve ekskluzive që publikohen për herë të parë, “Black Docks” zbulon se si këta dy emra ndërtuan një mekanizëm të sofistikuar pastrimi parash, duke shfrytëzuar boshllëqet në sistemin noterial dhe bankar shqiptar. 

Gjithçka fillon më 11 prill 2011, kur në zyrën e një noterie në Tiranë, nënshkruhet një akt që deklaron një borxh prej 872,420 dollarësh të shoqërive “Rozafa” ndaj Pëllumb Gjokës. Por dokumentet bankare të siguruara nga dokumentari tregojnë të kundërtën: shoqëritë ishin zhytur në kredi dhe nuk kishin asnjë kapacitet për të pasur një borxh të tillë. 

Dy vjet më vonë, i njëjti Pëllumb Gjoka “blen” katër prona në Tiranë, por paratë e shitjes nuk i shkojnë shitëses. Ato kalojnë direkt te banka për të shlyer kreditë e shoqërive të Gjergj Lucës. Një qark i mbyllur ku paratë pastrohen në letër, pa lëvizur asnjë cent. 

Një tjetër transaksion zbulon një tokë në Gocaj, Lezhë, të cilën Pëllumb Gjoka e blen për 20 mijë euro dhe ia shet strukturave të Gjergj Lucës për 700 mijë euro vetëm 14 muaj më vonë. Një rritje e paarsyeshme që sipas ekspertëve përbën një model klasik pastrimi parash. 

Por Gjoka nuk ishte thjesht një biznesmen. Në shtator 2022, Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi i dërgon Shqipërisë një kërkesë për transferim të ndjekjes penale ndaj Pëllumb Gjokës, i akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.  

I njëjti person që “likuidoi” borxhet e Gjergj Lucës.  

Në asnjë nga këto akte noteriale, emri i Gjergj Lucës nuk figuron. Ai nuk firmos asnjë dokument. Por çdo pronë, çdo borxh, çdo transaksion të çon tek ai. Nëpërmjet nënës së tij, e cila firmoste si përfaqësuese e shoqërive, dhe përmes Pëllumb Gjokës, që vepronte si dora e tij e zgjatur.  Nëna e tij, që firmoste në këto akte, nuk ishte ajo që drejtonte operacionet. Ajo ishte një grua në moshë, e nderuar në art, që firmoste aty ku i thoshte i biri.  

“Black Docks” sjell për herë të parë në vëmendjen e publikut këto dokumente dhe i analizon ato në detaje./Marrë nga Syri.net

Po ndodh...

ide