Ekzekutimi i krahut të djathtë të "Çapjave", ekstradohet nga Belgjika Sergej Hasanpapaj

12 Shkurt 2026, 10:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ekzekutimi i krahut të djathtë të "Çapjave",

Është ekstraduar nga Belgjika Sergej Hasanpapaj, i akuzohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës në janar të vitit 2022.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge në Bruksel, është finalizuar ekstradimi drejt Shqipërisë i 32-vjeçarit Hasanpapaj, i lindur në Elbasan.

Hasanpapaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai akuzohet për përfshirje në atentatin ndaj Bledar Muçës, i ndodhur në mbrëmjen e 23 janarit 2022 në Aartselaar të Belgjikës. Muça u qëllua gjashtë herë pranë banesës së tij, teksa po kthehej në shtëpi. Trupi i pajetë u gjet nga banorë të zonës, të cilët njoftuan policinë pas të shtënave me armë zjarri. Hetimet e autoriteteve belge dyshuan që në fillim për një vrasje me porosi.

Fillimisht u raportua se viktima ishte shtetas britanik, bazuar në dokumentet që mbante me vete, por më pas u konfirmua se bëhej fjalë për shtetasin shqiptar Bledar Muça. Sipas të dhënave, ai lëvizte shpesh mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës dhe kishte precedentë penalë.

Për të njëjtën ngjarje, në tetor 2022 u arrestua në aeroportin e Valencias një 43-vjeçar shqiptar, i identifikuar nga mediat belge si Marsel D., i kërkuar për vrasje. Sipas raportimeve, ai dyshohet për përfshirje në sigurimin e informacionit që çoi në ekzekutimin e Muçës.

Bledar Muça konsiderohej një emër i njohur në sagën e përplasjeve kriminale në Elbasan dhe përflitej si person i afërt me familjen Çapja. Emri i tij është lidhur ndër vite me disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë atentate të njëpasnjëshme dhe përplasje me grupe rivale. Ai i kishte shpëtuar disa herë sulmeve me armë në Shqipëri, përfshirë një nga episodet më të përgjakshme në Elbasan, ku mbetën të vrarë tre persona në një lokal.

Po ashtu, Muça ishte përmendur në hetime që lidhen me përplasjet e armatosura mes grupeve kriminale pas vrasjes së Sokol Çapjas, ngjarje që shënoi nisjen e një serie atentatesh brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht dyshimeve dhe arrestimeve të herëpashershme, ndaj tij nuk u siguruan prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg për akuzat e ngritura.

Po ndodh...

ide