Abuzimet në Universitetin Bujqësor, zbardhen përgjimet mes biznesmenit dhe kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave!

5 Mars 2025, 21:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

Abuzimet në Universitetin Bujqësor, zbardhen përgjimet mes

Emisioni Në Shënjestër në News24 ka siguruar pjesë nga dosja hetimore për abuzimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku me urdhër të SPAK u lëshuarn edhe disa urdhër arreste.

Zv.rektorja e Universitetit Bujqësor, Romina Koto ka deklaruar se njihte vetëm operatorin ‘Krijon’ shpk dhe ka komunikuar me këtë kompani në lidhje me pajisjet e laboratorit që do të vinin. Një nga personat që u mor në pyetje si person që ka dijeni mbi rrethanat e veprës penale ishte edhe Mirela Muça, drejtoreshë e AKKSHIT.

Ajo mohoi të kishte dijeni për ndryshimet në specifikimet teknike të pajisjeve. Si dhe që këto ndryshime sipas saj nuk janë reflektuar as në raportin përfundimtar të dorëzuar nga UBT.

Për çdo ndryshim të projektit që ka të bëjë me burimet njerëzore dhe materiale të projektit duhet të njoftohet paraprakisht AKKSHI dhe kërkesa për ndryshime madhore kërkon miratim nga Bordi. Nga hetimet rezulton se specifikimet teknike janë miratuar sipas kërkesës së bërë nga zv/rektorja Romina Koto.  Por sipas SPAK kriteret janë vendosur në bazë të kërkesës së bërë nga kompania ‘Krijon’ shpk.

Nga aktet e administruara rezulton se kontrata e lidhur mes UBT dhe operatorit ekonomik ‘Krijon’ shpk, e ka hartuar vetë operatori ekonomik fitues, të cilën ia ka sjellë dorazi shtetasi Amarildo Lleshi, nëpërmjet shoferit të operatorit ekonomik ‘Krijon’ shpk, shtetasi Armando Kondaj, fakt që e ka deklaruar dhe vetë ky shtetas.

Por SPAK thekson se nga hetimet rezulton se edhe çmimi i tenderit është përcaktuar nga kompania.

Nga aktet e administruara rezulton se vlera e shënuar në kontratën e datës 15 shtator 2022 lidhur mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe kompanisë ‘Krijon’ shpk, ndryshon nga vlera e shënuar në procesverbalin e vlerësimit të ofertave, formularin e njoftimit të fituesit si dhe në njoftimin e fituesit. Kjo vlera është e njëjtë me vlerën e paraqitur në formularin e ofertës nga vetë operatori ekonomik fitues ‘Krijon’ shpk.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ rezulton se specifikimet teknike janë mirauar sipas kërkesës së bërë nga vetë zv.rektorja Romina Koto.

Ndërkohë që Piro Zoga i shkruan të birit, Fotionit, se: ‘Aty ke ujërat jemi në rregull, vetëm ne ishim, kështu që duhet të fillojmë’.

Biseda mes Piro Zogas dhe djalit të tij:

Piro Zoga: ‘Dëgjo, aty ke ujërat në rregull, vetëm ne ishim, kështu që duhet të fillojmë’.

Fotioni: ‘Ok, shumë mirë’

Piro Zoga: ‘Këto tjerat pastaj të shohim…’

Biseda të cilat përforcohen edhe më tej me ngulmimin që bën Altin Murto, që është kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ai kërkon nga biznesmeni Zoga që të procedojë sa më shpejt me dokumentet, pasi janë vonë.

Altini: ‘Ej duhet me ardh’ ato dokumentet asaj të AKKSHIT, se jemi vonë’.

Piro: ‘Dokumentet, po i ka gati ajo dmth.’

Altini: ‘Po ti sjellë se 5 ditë ke afat nga dalja e shpalljes. Thuj ti sjellin sa më shpejt që të ashtu pastaj.’

Piro: ‘Keni nxjerrë njoftimin e fituesit ju?’

Altini: ‘Po ka tre, 4 ditë o burrë, se keni pa hiç ju?’

Piro: ‘Si ka dalë kësaj në sistem?’

Altini: ‘Po i ka dalë, ska mundësi mos t’i ketë dalë? Ska mundësi, shihe dhe njëherë thuaj.’

Piro: ‘Ja ta shoh unë, po gati i kemi dokumentet ne. Ti bi sot, mirë.’

Në dosjen e SPAK thuhet se Piro Zoga ka marrë dijeni që kompania e tij ‘Krijon’ shpk, është e vetmja që ka bërë ofertë.  Këtë njoftim ai e ka marrë disa ditë para se të shpallej fituesi i kësaj procedure prokurimi.

Momenti ku Piro Zoga përgatitet për të filluar me blerjet e pajisjeve laboratorike, pasi tashmë e kishte të sigurt shpalljen fituese të kompanisë së tij.

Pasi gjithçka shkon sipas planit, drejtuesit e universitetit i kërkojnë biznesmenit të “Krijon” shpk të fillojë blerjen e pajisjeve.

Këtu ku del në skenë rektori Fatbardh Sallaku. Ai që i kërkon biznesmenit Zoga që me urgjencë të nisë blerjen e pajisjeve.   Sallaku i cili i dërgon mesazh Piro Zogas, ku i shkruan: ‘Më mbyll atë që folëm dje se jemi me urgjencë’.

Ndërsa Zoga i përgjigjet: ‘Po, besoj nesër jemi gati

Fill pas kësaj bisede biznesmeni i dërgon mesazh Rektorit të UBT, ku i thotë ‘projekti gati’ dhe i kërkon një adresë emaili.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Romina Koto dhe Ilir Kapaj me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.

Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.  Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet  e kundraligjshme të njësisë së prokurimit  dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.

 

Po ndodh...