Greva në pikat kufitare të vendit, reagon Policia e Shtetit: Shmangni grumbullimin në pikat kufitare

27 Shkurt 2025, 19:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

Greva në pikat kufitare të vendit, reagon Policia e Shtetit: Shmangni

Policia ka dalë me një tjetër reagim zyrtar lidhur me kufizimin e lëvizjes së mjeteve në doganën e Kakavijës, për shkak të protestës dhe grevës nga pala greke. 

Policia ka bërë apel për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare deri në një njoftim të dytë.

Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot - Sarandë dhe PKK Tre Urat - Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve.

Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).

Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë.

Protesta dhe greva ditën e nesërme janë thirrur për aksidentin e rëndë hekurudhor, që ndodhi më 28 shkurt të vitit 2023, i cilësuar si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e vendit.

Ngjarja ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi. Aksidenti shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh në Greqi, me protesta të shumta kundër neglizhencës shtetërore për sigurinë hekurudhore. Ministri i Transportit dha dorëheqjen, dhe qeveria u zotua të përmirësojë sistemin e transportit hekurudhor. Ky aksident sipas raportimeve të mediave greke nxori në pah mungesën e sistemit automatik të sinjalizimit dhe menaxhimit të trafikut në hekurudhat greke, duke çuar në një debat të gjerë mbi nevojën për modernizimin e infrastrukturës.

 

Po ndodh...

ide