Kanali i Nanukës në Vlorë “pushtohet” nga plehrat, banorët në alarm: Po na rrezikohet shëndeti!

28 Mars 2025, 18:43 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kanali i Nanukës në Vlorë “pushtohet” nga plehrat,

Qytetarët në Vlorë janë përballur me një problematikë që prek drejtpërdrejtë shëndetin e mijëra banorëve të zonës.

Kanali i Nanukës, i cili është një nga segmentet më të rëndësishme të sistemit të kanalizimeve në qytetin e Vlorës dhe që transporton ujërat e bardha drejt hidrovorit është “pushtuar” nga plehrat.

Ujërat e zeza bashkohen me të bardhat, duke krijuar kështu vatra infeksioni për banorët e lagjeve ‘1 Maji’ dhe ’24 Maji’.

Banorët tregojnë për mediat se ankesat në bashki kanë qenë të shumta, por nuk ka pasur asnjë ndërhyrje dhe asnjë plan rehabilitues.

“Kanalizimi është problemi kryesor. Kemi vajtur te kryetari i bashkisë një përfaqësi e lagjes, na tha: ‘Kam 11 projekte nga Japonia, do fus dhe këtë projektin tuaj. Plani lë për t’u mbuluar ky kanal.’ Janë më mijëra familje. Unë kam ardhur që në ’91 dhe asgjë, llafe të bukura dhe asgjë. Këtu është gjynah i madh të kalojnë ujërat e zeza. Kur të vdesim ne, do e bëjnë”, thotë një banor.

Një tjetër banor i zonës u shpreh se të gjithë koshët e mbeturinave hidhen në kanal.

“Kanali është më i qelbur nga të tërë. Në mëngjes kur ngrihemi, vjen një erë që nuk durohet. Kaluan, lëre ta pastruar dhe s’e pastruan siç duhet. Kazanet i hedhin në kanal, njerëzit kur kalojnë, dhe ne jemi fajtorë që i hedhim në sheshe. Rajoni ka polici, duhet të dalë të kontrollojë që njerëzit mos t’i hedhin më në kanal. Që nga ura, hop në kanal”, u shpreh ai.

Kanali i Naunkës, i cili ndodhet në gjendje të mjerueshme prej vitesh është kthyer në një vendgrumbullim të madh mbeturinash, edhe për shkak se aty depozitohen çdo ditë edhe nga banorët e zonës me qindra mbetje urbane.

Insektet e shumta, ujëra e zeza të cilat depozitohen aty, e kanë kthyer këtë kanal edhe në një burim infeksioni, duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve.

 

Po ndodh...