Miku i shqiptarëve - Ndarja nga jeta e Eliot Engel, mbështetësi i madh i Kosovës në Kongresin amerikan! Reagime në Kosovë

10 Prill 2026, 23:14 / AKTUALITET ALFA PRESS

Miku i shqiptarëve - Ndarja nga jeta e Eliot Engel, mbështetësi i

Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.

Ai ishte larguar nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tre dekadash në detyrë.

Pas lajmit për vdekjen e Engel, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendi humbi një mik të dëshmuar dhe përkrahës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviç, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Reagime në Kosovë pati edhe nga udhëheqës partiakë në Kosovë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se, Engel qëndroi pranë Kosovës në kohën kur “po shkruhej historia".

“Ai ishte zëri i drejtësisë për ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe kontributi i tij nuk do të harrohen kurrë”.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Engel ishte një “mik i vërtetë i shqiptarëve” që qëndroi me Kosovën “në ditët më të errëta dhe ditët më të mira”.

“Zëri i tij ndihmoi në formësimin e rrugës sonë drejt lirisë”, shkroi ai në X.

Ndërkaq, kongresisti demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Ritchie Torres, tha se Engel ishte një avokues “i zëshëm për Kosovën dhe komunitetin shqiptar, kur pak të tjerë po iu kushtonin vëmendje”.

Mbështetja e Engel për Kosovën

Engel, demokrat, kishte përfaqësuar pjesë të Bronksit - një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare - që nga viti 1989.

Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e bëri atë të famshëm në Kosovë.

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Kjo e bëri atë një figurë të diskutueshme në Serbi, vendin që vazhdon ta refuzojë ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe lobon kundër njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar.

Më 8 dhjetor 2020, në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, Engel kishte folur për Ballkanin Perëndimor, dhe veçmas për Kosovën.

“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan”, kishte thënë ai.

“Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve. Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”.

Engel kishte hyrë në Kongres derisa Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Ai ishte përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale përmes pozitës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht reputacionin si ekspert i Ballkanit.

Ai kishte qenë ndër ligjvënësit e parë amerikan që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.

Një dekadë më vonë, ai ishte edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja./REL

Po ndodh...