Një makinë u preu rrugën dhe u qëllua me breshëri, zbardhet mekanizmi i vrasjes së prindërve të katër fëmijëve në Lezhë

26 Prill 2026, 18:53 / AKTUALITET ALFA PRESS
Një makinë u preu rrugën dhe u qëllua me breshëri,

Detaje të reja kanë dalë nga atentati i ndodhur këtë të diel në Balldren të Lezhës, ku 39-vjeçari Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, Gentjana Mujeci, mbetën të vrarë me breshëri plumbash.

Mësohet se çifti, i cili po lëvizte në drejtim të Torovicës së Lezhës, në fshatin Balldren, është penguar nga një automjet që u ka prerë rrugën, duke detyruar Kreshnik Mujecin të ndalonte makinën.

Në këtë moment, nga një tjetër automjet, i cili raportohet se ishte pa targa, kanë dalë dy persona të armatosur me kallashnikovë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të çiftit Mujeci, duke i lënë të vdekur në vend.

Po ashtu, bëhet me dije se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon me pamjet për të krijuar një identikit të autorëve të dyshuar.

Deri më tani raportohet se pista kryesore e policisë është hakmarrja, pasi viktima, Kreshnik Mujeci, është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.

Më herët, për atentatin ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila theksoi se po punohet intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po ashtu, u mësua se çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci janë prindër të katër fëmijëve të mitur.

Po ndodh...