“Po të kërkojmë të bashkëpunosh, ose ke plumbin në kokë”- Dosja e SPAK për AKSHI-n, Gerond Meçe rrëfen 6 orët e rrëmbimit

23 Dhjetor 2025, 09:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Po të kërkojmë të bashkëpunosh, ose ke plumbin

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion në lidhje me grupin e strukturuar kriminal të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka edhe dëshmi tronditëse që kanë të bëjmë me rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Gerond Meçes, biznesmeni që garonte në tenderat e AKSHI-t.

Vetë biznesmeni në datën 22 gusht 2025 është marrë në në pyetje nga Prokurorët e SPAK, ku ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në 6 orë rrëmbim.

Vetë Meçe tregon se kanë qenë 4 persona, të cilët janë shtirur sikur ishin agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai tregon se fillimisht i ka besuar, pasi i janë drejtuar duke i thënë “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

Meçe tregon më tej se në këtë moment nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.

Më pas biznesmeni ka parë brenda në makinë që ky person ka patur të veshura xhinse të zeza. Në atë moment ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të njëjtë me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët, të cilin është në gjendje ta identifikojë lehtësisht.

“Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi tre) kanë qenë me tatuazhe, personi i dytë ka patur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “b” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e darës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi”, thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga Panorana Online.

Në makinë ndërkohë ishte dhe një person i katërt, shoferi i automjet “Range Defender”. Ndryshe nga tre të parët, ky ishte i maskuar. Ai urdhëron një prej pengmarrësve që të merrte dy çantat, të cilat Gerond Meçe sapo i kishte futur në bagazhin e makinës së tij.

Në momentin që merren çanta, Meçe pyet: Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni? Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë që është i arrestuar dhe urdhëron personin mbrapa në të djathtë të Gerondit t’i vinte prangat.

Meçe i thotë se duhet të telefonojë në familje. “Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit. Personat mbrapa tentuan të vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vinte prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë që këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan”, thuhet në dosje.

Në momentin që po vinin prangat Gerond Meçe u thotë “o çuna unë nuk jam kriminel”.

Personi i dytë thotë “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!”, ndërkohë që shoferi u thotë vini kapuçin. Kur po dilnin nga parkingu i oborrit ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë. Ka kuptuar që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, Meçe mendon që do ecte drejt, ndërkohë që makina devijon majtas, ai i pyet se “në cilin kamisariat do më çonin”. Personi i parë i thotë “në kamisariatin më të afërt”.

Edhe pse personat që kishte para komunikonin me zë të ulët, Gerond Meçe e kupton që në fakt atë po e nxirrnin jashtë Tiranë dhe jo në komisariat.

“Çuna e mora vesh se çfarë jeni…unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen”, u thotë ai.

Pasi kalojnë zonën e Astirit rrëmbyesit ia heqin kapuçin. Njëri prej tyre mundohej t’ia mbante kokën ulur poshtë, por ai kishte arritur ta shikonte itinerarin e rrugës. Destinacioni ishte Elbasani, jo nga autostrada por nga rruga e Kërrabës.

Ishte ora 11:20 kur janë gjendur në një shesh të madh, afër fshatit Gracen, pa zbritur në qytetin e Elbasanit.

I thonë të dalë jashtë nga makina dhe me insistim i kërkojnë kodin e telefonit, ai refuzon dhe në këtë moment vjen shoferi dhe e godet me shpulle. Marrin celularin, ia vendosin te gishti dhe arrijnë ta zhbllokojnë.

Menjëherë e kalojnë telefonin në “airplane mode”. Kjo mbase pasi gjatë rrugës celulari i biznesmenit kishte rënë pa pushim.

“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëord-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”, i thotë njeri prej të pengmarrësve që në makinë kishte ndenjur në vendin e pasagjerit, teksa i tregonte armën që kishte në brez.

Tjetri nxjerr pistoletën nga brezi, fuste dhe nxirrte karikatorin, duke i thënë “do bashkëpunosh apo si e ke”.

“Ore për çfarë të bashkëpunoj?!”, pyet Gerond Meçe.

Personi i parë, i veshur me jelek me mbishkrimin BKH (të cilin tashmë e kishte hequr) shkon te makina dhe merr një zarf të bardhë, e hap dhe i tregon një tabelë exel, që tregonte tenderat, që biznesmeni kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Ata e pyesin “E njeh këtë letër”? Fillimisht i thotë jo por e kupton se për çfarë bëhet fjalë.

“Janë tendera që ti ke ankimuar dhe duhet të tërhiqesh, nuk kemi punë me lekët e tua, i gëzofsh ato”, i thonë pengmarrësit

“Nuk behet kështu kjo punë, sepse edhe po u be, u prish pune me shume juve sesa mua”, i përgjigjet ai.

“Ndërkohë Gerondi mundohet t ‘u mbushe mendjen qe nuk behet në këtë moment tërheqja, duke u sjelle ne vëmendje se nuk është me administrator, por po u kërkonte kompromis qe do ta bënte ditën në vijim nëse e lironin”, thuhet në dosje.

Biznesmeni u ka treguar agjentëve të BKH-së në SPAK, se përmes telefonit të tij ata kanë marrë administratorin kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku, ndërsa dyshon se një person i pestë ishte afruar me një makinë Volvo në vendin e ngjarjes.

Ata e kanë futur në makinë, i kanë kthyer telefonin, dhe e kanë lejuar të flasë me gruan dhe të tjerët që e merrnin.

Ora kishte shkuar 15:10 dhe në këtë moment pengmarrësit e konfirmojnë që në asnjë komisarit nuk kishte denoncim nga familjarët e Meçes. Presin edhe 1 orë e 20 minuta, futen në makinë në pozicionet siç ishin në fillim.

Pas 6 orësh pengmarrje, e zbresin të rrethrrotullimi që të çon direkt për në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit, dhe i thonë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.

Ky ishte kontakti i fundit që Gerond Meçe thotë se pati me pengmarrësit e tij, ndërsa denoncim thotë se nuk bëri sepse nëndrejtori i policisë së Tiranës Erion Ismaili, kohë më parë, nëpërmjet një personi që thotë se nuk i kujtohet, i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI-i.

Po ndodh...

ide