Mungesa e moralit, si mburojë për Ballukun

23 Dhjetor 2025, 13:01 / IDE NGA BLENDI KAJSIU
Mungesa e moralit, si mburojë për Ballukun

Thelbi i debatit mes meje dhe kolegut Baton Haxhiu është nëse znj. Balluku duhet të vazhdojë të mbajë postin që ka pas skandalit që ka plasur në ministrinë e saj prej më shumë se një viti. Unë them po. Batoni thotë jo. 

Përballë argumentit tim se znj. Balluku duhet të respektojë një standart minimal politik (të vendosur fillimisht nga Ilir Rusmajli në vitin 2007 dhe Ilir Meta më 2011) dhe të dorëhiqet, Baton Haxhiu argumenton se në kontekstin shqiptar nuk ka diferencë mes standartit moral dhe dënimit paraprak apo paragjykimit. Për Batonin respektimi i standartit moral përkthehet në burg, paraburgim, dënim paraprak dhe paragjykim.

Sipas tij: “Kur standardi moral përkthehet në largim nga detyra, delegjitimim publik dhe presion institucional përpara se gjykata të flasë, ai prodhon të njëjtin efekt që ka dënimi paraprak”. Konkluzioni që rrjedh nga kjo llogjikë është se Balluku nuk duhet ta japë dorëheqjen sepse përndryshe do dënohet nga gjykata, do delegjitimohet, do burgoset apo paraburgoset. 

E thënë ndryshe, ajo që Batoni po argumenton në thelb është që znj. Balluku duhet të mbahet tek posti i saj për të shmangur dënimin paraprak, pargjykimin apo dënimin penal. Ky është në fakt përkufizimi i vetë korrupsionit, ngjitja pas pushtetit për hallin personal dhe jo për interesin publik. 

Është një argument sa i gabuar nga ana etike po aq edhe i pavërtetë nga ana empirike. Nga ana etike përmbushja e një standarti moral nuk mund të përcaktohet në funksion të pasojave që ka për mua si individ. E thënë ndryshe, unë nuk mund të jem i ndershëm vetëm kur më intereson mua. Kjo nuk është ndershmëri, por hipokrizi.

Në rastin konkret, dorëheqja e Ballukut nuk mund të përcaktohet nga efektet që ajo mund të ketë mbi Ballukun si person, qofshin këto edhe të padrejta apo të pamerituara. Nuk janë hallet e Ballukut që përcaktojnë standartin e dorëheqjes, por integriteti dhe besueshmëria e postit publik që ajo mban në mëyrë të përkohëshme. 

Nëse dorëheqja jepet vetëm kur i intereson zyrtarit dhe jo kur i intereson publikut dhe demokracisë ajo zhduket si standart politik. Sipas kësaj llogjike as Berisha nuk duhet të largohet nga kryetar i PD-së sepse kështu eviton dënimin nga SPAK. 

Problemi tjetër është se premisa e Batonit se në Shqipëri standarti apo morali politik i dorëheqjes prodhon dënim, paragjykim, apo paraburgim është krejtësisht i pavërtetë por ti referohemi fakteve konkrete. 

Si në rastin e Erjon Veliajt edhe në rastin e Belinda Ballukut, paraburgimi dhe kërkesa për arrestim nuk ka ardhur si pasojë e dhënies së dorëheqjes prej tyre. Përkundrazi, ata janë arrestuar apo paraburgosur sepse nuk janë dorëhequr. Pra nuk janë viktima të moralit të tyre të tepërt politik, përkundrazi.

Në rastin e Ballukut SPAK kërkoi thjesht masën e pezullimit nga detyra ndërkohë që zhvillohej hetimi. Ishte refuzimi i Ballukut për tu dorëhequr që e çoi SPAK-un tek kërkesa e arrestimit. Nëse ajo do ishte dorëhequr SPAK-u nuk do kishte argument për të kërkuar arrestimin e saj për presion dhe eleminim provash.

Pra është krejt e kundërta e asaj që pretendon Batoni. Nuk është dorëheqja që i ka çuar zyrtarët tanë në paraburgim, por kapja me thonj pas pushtetit. Politikanët tanë paragjykohen nga opinioni publik sepse nuk i shqiten pushtetit, jo sepse japin dorëheqje me tepricë. Në rastet e rralla kur ata japin dorëheqje, siç ishte rasti i Fatos Nanos, ata nderohen gjerësisht pavarësisht problemeve të shumta që kanë pasur si individ.

Në fakt, dorëheqja do përbënte një standart politik që mund të përmirësonte edhe standartet tona juridike, sepse i eleminon SPAK-ut një nga argumentet themelore që përdor për paraburgimin shpesh abuziv. E kam fjalën për argumentin se të pandehurit përdorin pushtetin për të prishur provat.

Ndaj ndryshe nga Batoni unë nuk e shikoj as moralin dhe as standartet politike si burimin e arrestimeve, paraburgimeve apo të paragjykimeve. Përkundrazi është mungesa ulëritëse e moralit dhe koherencës politike që na ka çuar drejt burgimit, paraburgimit, mosbesimit, paragjykimit dhe paradënimit të zyrtarëve publik dhe të politikanëve.  

Ky fenomen është akoma më i qartë në rastin e znj. Balluku. Ministria e saj ka më shumë se një vit që është përfshirë në një nga skandalet më të rënda të qeverisjes socialiste, që më 14 mars të vitit 2024 kur SPAK arrestoi Evis Berberin ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe krahun e djathtë të znj. Balluku, për kalimin e fondeve publike në kompanitë e tij private. Këtu fillon skandali në Ministrinë e Infrastrukturës që më pas përfshin edhe zyrtarë të lartë të tjerë në këtë ministri dhe arrin deri tek vetë ministrja. 

Përballë lumit të evidencës që është botuar nga media dhe furnizuar nga SPAK, herë legalisht dhe here me rrjedhje ilegale, që tregon kapjen e plotë të procesit të tenderimit, kemi një heshtje shurdhuese nga ministrja në fjalë. Asnjë konferencë për shtyp, asnjë intervistë në media, asnjë debat me gazetarë apo qoftë edhe një takim me votuesit e saj ku ti shpjegojë se ato që thuhen në media nuk janë të vërteta. 

Nuk bëhet fjalë thjesht për mbrojtjen e saj individuale, bëhet fjalë për përgjegjësinë politike që kanë zyrtarët e lartë që të jenë transparent me publikun dhe votuesit e tyre. Ministrja Balluku e ka detyrim politik (edhe pse jo ligjor) të sqarojë dhe sigurojë qytetarët se paratë e tyre nuk po shpërdorohen, se siguria dhe cilësia e tuneleve dhe e rrugëve nuk është ngrënë nga korrupsioni.

Ndaj unë nuk e kuptoj se ku e gjen teprimin e moralit politik kolegu Baton Haxhiu në rastin e znj. Balluku. Të gjitha faktet e bëra publike në media na tregojnë se morali politik dhe publik i ministres gjatë ushtrimit të detyrës ka qenë inekzistent, po të gjykojmë nga mënyra se si janë dhënë tenderat. 

Përballë këtyre fakteve  argumenti kryesor i prodhuar deri tani nga mediat dhe zërat pranë qeverisë është “Llafet e telefonave nuk janë dosje”, sepse janë marrë në mënyrë të paligjëshme. Pra thjesht i bëhet thirrje publikut të injorojë gjithçka që ka parë dhe dëgjuar në media.

Që nga shpërthimi i skandalit znj. Balluku ka injoruar edhe standartin më minimal politik që është përballja me gjykimin e opinionit publik. Kjo përballje nënkupton transparencë me qytetarët nëpërmjet intervistave, përballjes me gazetarët apo nëpërmjet konferencave për shtyp. 

Sot ajo refuzon të dorëhiqet edhe pse përballet me akuza serioze, edhe pse ministria e saj është e tëra e përfshirë në një megaskandal rreth të cilit ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim bindës në publik. Pa përmendur faktin që në pozicionin e saj aktual ajo ka mundësi të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve dhe të dëmtojë procesin e hetimit. 

Në këto kushte me duket e habitëshme idea se paragjykimi, paradënimi, arrestimi apo paraburgimi i znj. Balluku është produkt i teprimit të moralit politik në hapësirën tonë publike. 

Përkundrazi, të gjitha këto më duken pasoja të mungesës së standarteve politike më minimale në mënyrën se si qeveria Rama dhe ministrja në fjalë po përballet me skandalin që e ka përfshirë prej më shumë se një viti./ Lapsi.al

Po ndodh...

ide