Si u tolerua nga socialistët autoritari Rama, për të kapur dhe shkatërruar PS-në

10 Mars 2026, 20:47 / EDITORIAL NGA IRENA BEQIRAJ
Si u tolerua nga socialistët autoritari Rama, për të kapur dhe

Më 23 mars të vitit1933, brenda një dhome të ndriçuar dobët, ku ndihej aroma e ndenjur e tymit të purove, Ludwig Kaas po përpiqej ta bindte veten se po merrte vendimin e duhur. Kaas një prift katolik dhe udhëheqës i Partisë së Qendrës,  ndodhej në udhëkryq. Për disa vite, partia e tij ishte përpjekur të bllokonte ngritjen e Adolf Hitlerit. Por në vitin 1932, Nacional-Socialistët e Hitlerit u bënë forca më e madhe në parlament dhe në janar 1933, Hitleri u bë kancelar. Ndërsa Hitleri përpiqej të konsolidonte pushtetin, Partia e Qendrës ishte pengesa e fundit që ai të mos vendoste nën kontroll të plotë Gjermaninë.

Hitleri kishte prezantuar Aktin e Mundësimit, akt i cili do t'i lejonte atij dhe kabinetit të tij mundësinë për të sunduar nëpërmjet akteve normative, duke e çmontuar demokracinë në thelbin e saj. Vetëm nëse Partia e Qendrës do të rezistonte, mund të bllokohej miratimi i aktit. Kaas dhe kolegët e tij udhëheqës të Partisë së Qendrës debatuan për orë të tëra, të ndarë midis mbrojtjes së parimit dhe vetëmbrojtjes. Disa kërkuan rezistencë, duke paralajmëruar se pushteti i Hitlerit duhej të kontrollohej. Por shumica kishin frikë nga pasojat e sfidës. Të tjerë ende mbaheshin pas shpresës se duke bashkëpunuar me Hitlerin, ata mund të ndikonin te Hitleri.

Në fund, Kaas e bindi veten se opsioni i tij më i mirë ishte të bashkëpunonte brenda realitetit të ri, në mënyrë që të mos shtypej prej tij. “Ne duhet ta ruajmë shpirtin tonë, por një refuzim i Aktit të Mundësimit do të rezultojë në pasoja të pakëndshme për partinë tonë”, u tha ai kolegëve të tij. Akti u miratua duke i hapur rrugën diktaturës së Hitlerit .

Mbështetja për aktin, nuk kishte asgjë strategjike. Ajo nuk i moderoi qëndrimet e Hitlerit, përkundrazi i dha atij kontroll të plotë.

Ky episod ilustron logjikën e rrezikshme të abdikimit ose besimit se, përballë një kërcënimi në rritje për demokracinë, dorëzimi është strategji dhe bashkëpunimi me një autokrat është mbijetesë. 

Sa herë më jepet mundësia të flasë me socialistë të vjetër apo të rinj, anëtarë apo ish anëtarë të kryesisë së kësaj partie, ndjej po të njëjtën logjikë abdikimi. Po anëtarët kryesorë të partisë socialiste kanë abdikuar, dhe kjo nuk ka ndodhur sot, por që në vitin 2005.  

Demokracia brenda saj u gërrye ngadalë, në fillim nëpërmjet dorëzimit gradual të atyre që e kishin ndërtuar e duhet ta mbronin atë. Në çdo lëshim që partia bënte karshi kryetarit autokrat, ai u bë më i guximshëm dhe përmbysja sot e tij, të gjithëve të vjetër e të rinj, u duket më e vështirë. Përgjigjet të cilat në fillim socialistëve ju dukën pragmatike duke pritur, duke heshtur, duke arritur një marrëveshje, vetëm sa e inkurajuan kryetarin autokrat, duke e çuar situatën deri tek urdhrat me xheste.

Rënia e Partisë Socialiste nuk ishte e pashmangshme, pasi udhëheqësit politikë kryesorë kishin shumë mundësi për t'u kundërpërgjigjur. Por disa në 2005 besonin se vetëm me Ramën mund ta mundnin Berishën, disa se mund ta përdornin Ramën për të siguruar dominimin e tyre. Disa besonin se mund ta kontrollonin Ramën, edhe pasi ta bëhej Kryeministër. Të gjithë gaboheshin.

Demokracia brenda partisë rrallë vdes në një moment të vetëm. Ajo shkatërrohet nëpërmjet abdikimit: racionalizimeve dhe kompromiseve. Partia Socialiste vdiq kur anëtarët me ndikim brenda saj i thanë vetes se po të lëshojnë vetëm pak terren do të ishin  më të sigurt, ose se gjetja e një gjuhe të përbashkët me një përçarës është më praktike, sesa të qëndrosh kundër tij. 

Kryetari autoritar i cili tashmë nuk denjon të "urdhëroj" as me fjalë por më gjeste, "mbyllni gojën", nuk triumfoi kurrë vetë. Ai pati sukses sepse të tjerët e mundësuan atë, për shkak të ambicies së tyre, për shkak të frikës së tyre, ose sepse i gjykuanë gabim rreziqet e lëshimeve të vogla.

Po ndodh...