Protestat për dorëheqjen e Ramës në ditën e 15-të, eurodeputeti: Qeveria duhet të dëgjoj zërin e qytetarëve! Po monitorojmë çdo zhvillim

14 Qershor 2026, 15:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Protestat për dorëheqjen e Ramës në ditën e 15-të,

Protestat qytetare që prej 15 ditësh po zhvillohen në Tiranë kundër projekteve të investimeve strategjike, ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, kanë tërhequr vëmendjen edhe të institucioneve europiane.

Lidhur me këto zhvillime ka folur eurodeputeti bullgar, Andrey Kovatchev, i cili ndodhet në Shqipëri së bashku me një delegacion nga Parlamenti Bullgar.

Kovatchev deklaroi se Parlamenti Europian po ndjek me vëmendje situatën në Shqipëri, ndërsa theksoi se vendi ka bërë progres në rrugën drejt integrimit europian.

I pyetur nëse protestat masive që po zhvillohen në vend mund të ndikojnë në procesin e integrimit, eurodeputeti tha se zgjidhja e situatës i takon politikës shqiptare, por nënvizoi rëndësinë e respektimit të standardeve europiane.

“Ne po monitorojmë shumë nga afër çdo zhvillim. Kjo sigurisht i takon klasës politike në Shqipëri që ta zgjidhë dhe të ndjekë të gjitha standardet, veçanërisht ato ekologjike, me të gjitha investimet që duhen bërë. Ne nuk po ndërhyjmë në këtë pjesë, por sigurisht që do të ketë një tekst në raport-progresin që lidhet me përmbushjen e të gjitha ligjeve dhe standardeve që kanë të bëjnë me ekologjinë, por edhe me zhvillimin rajonal dhe turizmin”, tha Kovatchev.

Duke komentuar protestat, të cilat kanë hyrë tashmë në ditën e 15-të, ai u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen, për sa kohë protestat mbeten paqësore.

“Dua të thëm se është mirë të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka është e qetë dhe paqësore. Dhe kjo është gjithashtu thirrja jonë për të gjitha partitë në pushtet dhe ato të opozitës: të jenë të qeta, të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët.

Për qytetarët e Shqipërisë, më e mira është që të hyjnë sa më shpejt të jetë e mundur në Bashkimin Evropian dhe të gëzojnë së bashku familjen tonë evropiane, në këtë kohë shumë sfiduese për botën. Kemi shumë probleme gjeopolitike rreth nesh dhe Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO, dhe tani, shumë shpejt, edhe në Bashkimin Evropian”, deklaroi eurodeputeti bullgar.

Ndërsa u pyet se çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare përballë këtyre protestave, Kovatchev dha një mesazh të qartë: “Qeveria duhet të dëgjojë njerëzit dhe të ndjekë të gjithë legjislacionin dhe të gjitha standardet mjedisore, gjë që jam i sigurt se do të jetë edhe në tekstin e Parlamentit Evropian. Por, ne në Parlamentin Evropian nuk do të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë dhe bëjmë thirrje për një bashkëpunim të mirë mes partisë në pushtet dhe partive opozitare. Faleminderit”.

Po ndodh...

ide