Shkencëtarët zbulojnë praninë e mikroplastikave në tumoret e prostatës

14 Mars 2026, 09:57 / TRENDING ALFA PRESS

Shkencëtarët zbulojnë praninë e mikroplastikave në

Një studim i ri ka zbuluar praninë e grimcave mikroskopike plastike në shumicën dërrmuese të tumoreve të prostatës, duke ngritur shqetësime për ndikimin e ndotjes mjedisore në shëndetin e njeriut, sipas “Science Daily”.

Sipas kërkimit të kryer nga shkencëtarë në Shkollën e Mjekësisë “NYU Grossman”, mikroplastikat janë gjetur në rreth 90% të mostrave të tumoreve të lidhura me kancerin e prostatës – të analizuara në një studim pilot të fundit.

Studiuesit zbuluan se këto grimca të padukshme me sy të lirë – të cilat besohet se futen në organizëm përmes frymëmarrjes ose ushqimit nga produktet e përditshme – gjendeshin në përqendrime dukshëm më të larta në indet malinje sesa në ato të shëndetshme.

Mesatarisht, mostrat kancerogjene përmbanin rreth 40 mikrogramë plastikë për gram indi, pothuajse trefishi i sasisë së gjetur në indet jo-malinje.

Ky konsiderohet zbulimi i parë i madh në Perëndim që krahason drejtpërdrejt akumulimin e plastikës në zonat kancerogjene dhe ato të shëndetshme të prostatës.

Megjithëse prania e mikroplastikave në organet njerëzore është dokumentuar më herët, studimi sugjeron se ato mund të luajnë rol të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kancerit, duke nxitur inflamacion kronik.

Shkencëtarët supozojnë se reagimet e vazhdueshme të sistemit imunitar ndaj këtyre materialeve të huaja mund të shkaktojnë dëmtime gjenetike dhe formim tumoresh me kalimin e kohës.

Autorja kryesore e studimit, Stacy Loeb, theksoi se mikroplastikat janë lidhur më parë me problemet kardiovaskulare dhe demencën, por këto gjetje nënvizojnë nevojën urgjente për rregullore më të rrepta mjedisore për të kufizuar ekspozimin e njerëzve.

Duke qenë se kanceri i prostatës mbetet një nga format më të shpeshta të kancerit tek meshkujt, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës- kuptimi i faktorëve mjedisorë që ndikojnë në shfaqjen e tij shihet si hap i rëndësishëm për parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Po ndodh...